Telekomi i Kosovës akuzon individë të caktuar brenda Gjykatës për bashkëpunim me grupe të krimit të organizuar.
Në një konferencë për media kryeshefja ekzekutive e telekomit, Burbuqe Hana bënë thirrje për veprime urgjente të parandalimit të krimit financiar.
Ajo tha se kanë pranuar aktvendimin e gjykatës komerciale dhoma e shkallës së parë e që sipas saj ky aktvendim i marrë është tërësisht antligjor dhe i padrejtë.
Ajo më tej shtoi se janë të bindur se ky Aktvendim, përveç që është i jashtëligjshëm, ka dhe elemente të qarta kriminale, nëpërmjet të cilave synohet t’i bëhet një dëm i pariparueshëm i Telekomit të Kosovës.
Arsyet po i paraqesim në vijim: Ndonëse ndaj këtij aktvendimi mund të bëhet ankesë në Shkallën e Dytë të Gjykatës, kjo nuk mund ta ndalë ekzekutimin e tij. Kësisoj shkaktohet një dëm i pariparueshëm. Ekzekutimi i këtij aktvendimi nënkupton që paratë nga llogaritë bankare të Telekomit të kalojnë në llogaritë bankare të Dardafon.
Nga kjo duket sikur bëhet fjalë për një skemë të organizuar, ku do të duket sikur askush nuk mund të jetë fajtor ligjërisht, por realisht do të këtë vetëm një palë të dëmtuar.
– Telekomi i Kosovës ose paraja publike. Për ta parandaluar këtë skemë, Telekomi menjëherë ka marrë veprime në kuadër të mundësive që ka në dispozicion: – Kemi njoftuar menjëherë organet më të larta të drejtësisë dhe kemi kërkuar që të ndërmerren veprime që kjo skemë të parandalohet.
– Kemi ngritur kallëzim penal ndaj gjykatësit të çështjes në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. – Kemi kërkuar nga Gjykata përjashtimin e Përmbaruesit të çështjes, për shkak të shkeljeve të evidentuara.
– Brenda afatit, do të dorëzohet kërkesa për pezullimin e përmbarimit, deri në sqarimin e rrethanave të marrjes së aktvendimit të jashtëligjshëm të Shkallës së Parë dhe deri në vendimin e Shkallës së Dytë. – Brenda afatit ligjor, do të bëhet ankesë ndaj aktvendimit të Shkallës së Parë në Shkallën e Dytë të Gjykatës Komerciale.
Ndërkaq Telekomi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet relevante që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për ta parandaluar këtë skemë kriminale që për qëllim ka grabitjen e mbi 5.7 milionë € nga paratë publike që u takojnë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës e jo grupeve kriminale.
Procedura përmbarimore Telkom-Dardafon është duke u zvarritur nëpër institucionet gjyqësore që nga viti 2019, përkundër që objekt i përmbarimit është një titull ekzekutiv, përkatësisht një vendim arbitrazhi ndërkombëtar i zhvilluar në njërin nga institucionet më prestigjioze siç është arbitrazhi i ICC (Odës Ndërkombëtare Ekonomike).
/TV Arbëria