Liderja në mërgim e Lëvizjes Demokratike të Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya, u ka bërë thirrje liderëve të Perëndimit të jenë të “bashkuar” dhe të “vendosur” për t’i bërë ballë “synimeve imperialiste të Rusisë”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, Tsikhanouskaya argumentoi se populli i Ukrainës nuk po lufton vetëm për vendin e vet, por gjithashtu edhe për “vlerat e vendeve demokratike”.
“Më besoni, nëse e lejojmë Ukrainën ta humbë luftën e saj, bota demokratike – Evropa e fuqishme apo SHBA-ja – do të jenë të radhës që do të sulmohen nga diktatura”, tha ajo.
“Fatet e Bjellorusisë dhe Ukrainës janë të ndërthurura. Ne i inkurajojmë plotësisht vendet e NATO-s për t’i mbështetur ukrainasit dhe për t’i dhënë Ukrainës gjithçka që ka nevojë për ta fituar këtë luftë. Por, mos e lini anash Bjellorusinë”, theksoi ajo.
Tsikhanouskaya shtoi se “diktatorët” si Lukashenka dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i shohin plogështinë dhe pavendosmërinë e Perëndimit si “dobësi”.