Irani ka bërë të ditur se është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Shtetet e Bashkuara lidhur me propozimin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe ndaljen e luftimeve në rajon brenda shtatë ditësh.
Drafti, i dorëzuar gjatë punimeve të OKB-së në New York përmes ndërmjetësimit të Katarit, parasheh armëpushim në të gjitha frontet – përfshirë Libanin – dhe mundësinë e bisedimeve më të gjera, përfshirë ato për programin bërthamor. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se “gjithçka është gati” nëse Uashingtoni tregon seriozitet, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Në këmbim, Teherani kërkon heqjen e bllokadës së porteve, zhbllokimin e fondeve të ngrira dhe heqjen e sanksioneve ndaj naftës, ndonëse ka bërë të ditur për Reuters se nuk do të bëjë kompromise mbi pasurimin e uraniumit.
Donald Trump raportohet se ka refuzuar ofertën, me dyshime mbi zotimet e Teheranit dhe me synimin për të pritur zgjedhjet afatmesme para rinisjes së goditjeve.