Kandidati i republikanëve për president të SHBA-së, Donald Trump është para kandidates së demokratëve, Kamala Harris, bazuar në projeksionet e “AP” dhe “CNN”.
Kandidati që arrin në 270 vota elektorale i fiton zgjedhjet presidenciale.
Numërimi është duke vazhduar. Aktualisht Donald Trump është duke paraprirë rezultateve 248 vende të fituara karshi kundër kandidates Kamala Harris me 210 vende.
Ndryshe, Partia Republikane ka fituar shumicën në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke e rikthyer kontrollin e kësaj dhome të Kongresit për herë të parë në katër vitet e fundit, raportoi agjencia “Associated Press”.
Kjo fitore shënon një moment të rëndësishëm për republikanët, të cilët tani do të kenë një ndikim më të madh në politikën amerikane, përfshirë aprovimin e kabinetit të presidentit të ri dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në rast të ndonjë vendi të lirë.
Ky zhvillim ka implikime për qeverisjen e ardhshme, duke i dhënë Partisë Republikane një rol vendimtar në proceset legjislative dhe të konfirmimit. Ndërkohë, rezultati për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve mbetet i pasigurt, pasi garat për më shumë se 100 ulëse ende nuk janë përmbyllur.