Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar pasi një gjykatë në Nju-Jork të enjten e shpalli fajtor për falsifikim të dokumenteve për të mbuluar një pagesë për një aktore të filmave për të rritur që ajo të mos fliste për një aferë para zgjedhjeve të vitit 2016.
Trumpi u bë presidenti i parë amerikan që dënohet për një krim. Pas dy ditësh të shqyrtimeve, trupi gjykues me 12 anëtarë e shpalli ish-presidentin fajtor për të gjitha 34 pikat e aktakuzës me të cilat ngarkohej, raporton agjencia “Reuters”.
Gjykatësi Juan Merchan e caktoi datën 11 korrik për shqiptimin e dënimit, vetëm disa ditë para se Partia Republikane ta nominojë zyrtarisht Trumpin si kandidat të saj për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Krimi i falsifikimit të dokumenteve biznesore bart dënim maksimal prej katër vitesh burgim, edhe pse ata që dënohen shpesh marrin dënime më të vogla, gjoba ose dënime me kusht. As burgosja nuk do t’ia parandalonte Trumpit ligjërisht mbajtjen e fushatës ose marrjen e detyrës, nëse i fiton zgjedhjet. Ai nuk do të dërgohet në burg para shqiptimit të lartësisë së dënimit.
Pas vendimit për ta shpallur atë fajtor, Trumpi reagoi me një video-kolazh në rrjetin “Truth Social”, ku paraqiten mendimet e disa figurave se gjoja ky proces gjyqësor është i motivuar politikisht për ta penguar ish-presidentin që të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
“Verdiki i vërtetë do të jetë më 5 nëntor nga POPULLI – ata e dinë se çfarë ndodhi këtu” – shkroi Trumpi në postimin ku e publikoi videon.
Më vonë, ai publikoi një fotografi të tij pranë derës së aeroplanit duke përshëndetur me dorë, me mbishkrimin me shkronja të mëdha: “Nuk është ndjekje penale. Është përndjekje.”
Në një postim tjetër në rrjetin e njëjtë social, Trumpi shkroi me shkronja të mëdha: “Ky është turp – një gjykim i montuar nga një gjykatës në konflikt që është i korruptuar. Ne do të luftojmë për kushtetutën tonë – kjo është larg fundit!”
Vendimi për shpalljen e Trumpit fajtor i zhyt Shtetet e Bashkuara në territor të paeksploruar para zgjedhjeve të nëntorit, kur Trumpi do të mundohet të fitojë përballë demokratit Joe Biden, president aktual.
Trumpi ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje dhe një avokat që e përfaqëson atë tha se do të paraqesin apel kundër vendimit të gjykatës sa më shpejt që është e mundshme.
Sipas anketave, Trumpi dhe Bideni pritet që të kenë garë të ngushtë, ndërsa sipas një sondazhi të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it, vendimi për shpallje fajtor do t’i kushtonte Trumpit me ca mbështetje në mesin e votuesve republikanë dhe atyre të pavarur.