Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Trump vendos kusht rritjen e tavanit të borxhit për buxhetin

Trump vendos kusht rritjen e tavanit të borxhit për buxhetin

Disa orë përpara skandimit të afatit që do të çonte në një mbyllje të pjesshme të qeverisë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump këmbënguli të premten në kërkesën e tij për rritjen e tavanit të borxhit, si pjesë e një marrëveshjeje për buxhetin. Nëse kjo nuk ndodh, paralajmëroi ai, “mbyllja le të fillojnë që tani”.

Zoti Trump, i cili merr zytarisht detyrën më 20 janar 2025, bëri publik qëndrimin e tij ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson po zhvillon bisedime në Kapitol me disa nga republikanët më konservatorë, të cilët ndikuan në dështimin e projektligjit të mbështetur nga zoti Trump.

Afatet për mbylljen e agjencive qeveritare po ngushtohen me mesnatën e së premtes që po afron.

“Nëse do të ketë një mbyllje të qeverisë, le të fillojë tani”, shkruante zoti Trump në mediat sociale.

Vetë zoti Trump shkaktoi mbylljen më të gjatë të qeverisë në histori gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, kur qeveria u mbyll në mënyrë të pjesshme për një muaj duke filluar rreth fundit të dhjetorit 2018, deri rreth mesit të janarit 2019.

Kërkesa kryesore e presidentit të zgjedhur është rritja e tavanit të borxhit përpara se ai të marrë zyrtarisht detyrën.

Kufiri i borxhit federal skadon më 1 janar dhe zoti Trump nuk dëshiron që muajt e parë të administratës së tij të re të jenë të ngarkuara me negociata të vështira në Kongres mbi kapacitetin huamarrës të vendit.

Kjo situatë u krijon demokratëve, të cilët do të jenë në pakicë në Kongres vitin e ardhshëm, një avantazh.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson po lufton me kohën pas dyersh të mbyllura për të parandaluar mbylljen e qeverisë, por ndikimi i tij është i kufizuar.

Zoti Trump dhe aleati i tij, miliarderi Elon Musk, e kundërshtuan planin e parë të paraqitur nga zoti Johnson, fryt i një kompromisi dypartiak, që përfshinte ndër të tjera 100 miliardë dollarë ndihmë për shtetet e goditura rëndë nga fatkeqësitë natyrore. Projektligji dypartiak nuk e trajtonte çështjen e tavanit të borxhit.

Pas trysnisë së presidentit të zgjedhur, zoti Johnson negocioi një paketë të re ligjore e cila u mbështet nga zoti Trump.

Por projektligji i ri që përfshinte edhe rritjen e tavanit të borxhit deri në vitin 2027, dështoi në Kongres. Tridhjetë e tetë republikanë të vijës së ashpër votuan kundër tij, përfshirë të gjithë demokratët, përveç tre prej tyre.

Të premten në mëngjes, Nënpresidenti i zgjedhur JD Vance shkoi në zyrën e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Kapitol, atje ku një grup republikanësh të vijës së ashpër po takoheshin me zotin Johnson. Ky i fundit ka këmbëngulur për të gjetur një zgjidhje mbi situatën.

Punonjësve të qeverisë u është bërë e ditur të përgatiten për një mbyllje të pjesshme të qeverisë.

“Mirë se erdhe përsëri në kënetën MAGA“, shkruante sot në një postim në median sociale udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries.

“Kjo është arsyeja pse vendi ynë është në prag të mbylljes së qeverisë, çka do të dëmtojë ekonominë, do të dëmtojë amerikanët e klasës punëtore dhe ka të ngjarë të jetë mbyllja më e gjatë në historinë e vendit“.

Në Senat, i cili kontrollohet nga demokratët edhe për disa javë të tjera, po zhvillohen bisedime me synimin për të nxitur një marrëveshje mbi paketën origjinale, frut i një kompromisi mes zotit Johnson, zotit Jeffries dhe udhëheqësit të Senatit, negociuar në fillim të kësaj jave. Një gjë e tillë do të ishte e vështirë, por jo e pamundur.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer e quajti marrëveshjen origjinale “mënyrën më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të lehtë për t’u siguruar që qeveria të qëndrojë e hapur dhe që ofron ndihmë jetike dhe urgjente për popullin amerikan”, siç tha ai.

Presidenti Joe Biden, i cili ndodhet në javët e fundit të tij në detyrë, nuk ka folur për këtë çështje, gjë që ka nxitur kritika nga zoti Trump dhe republikanët, të cilët po përpiqen t’ia faturojnë atij përgjegjësinë për një mbyllje të mundshme të qeverisë.

Zoti Johnson përballet me një detyrë të vështirë, ai jo vetëm po synon të mos shkohet tek mbyllja e qeverisë, por edhe të shpëtojë vendin e tij të punës.

Zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve është votimi i parë që kryhet në Kongresin e ri, i cili mblidhet më 3 janar dhe zoti Johnson do të ketë nevojë për mbështetjen e pothuajse çdo republikani, për të mbajtur detyrën. Demokratët do të votojnë për zotin Jeffries.

Themes by WordPress