Presidenti amerikan Donald Trump edhe gjatë këtij viti ka përfshirë Kosovën dhe Serbinë në deklaratat e tij publike, duke thënë se pikërisht ai ka ndaluar shpërthimin e një konflikti mes dy vendeve.
Në disa paraqitje publike gjatë vitit 2025, Trump është mburrur se ka “ndalur tetë luftëra për tetë muaj”, ndër të cilat, sipas tij, është edhe ajo mes Kosovës dhe Serbisë.
Në qershor të këtij viti, në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha: “Serbia ishte gati të shkonte në luftë me Kosovën… dhe ne e ndaluam!”
Sipas tij, kjo u arrit përmes marrëveshjeve tregtare — një deklaratë që pati jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare.
Vetëm pak ditë më vonë, në një intervistë tjetër, ish-presidenti amerikan e përsëriti të njëjtin mesazh:
“E ndaluam Serbinë nga veprimi. E ndaluam konfliktin me Kosovën”.
Në gusht 2025, Trump doli sërish me deklarata të ngjashme, kësaj here me tone edhe më të forta:
“Ne ndaluam shumë luftëra… përfshirë Kosovën dhe Serbinë. Shpëtuam miliona jetë”.
Ndërsa në nëntor 2025, në Forumin Amerikan të Biznesit në Miami, Trump e përmendi sërish Kosovën, duke folur për atë që e quajti “listën e tij të paqes”:
“Për tetë muaj i dhashë fund tetë luftërave… Kosovë–Serbi, Kongo–Ruandë, Pakistan–Indi, Izrael–Iran, Armeni–Azerbajxhan… të gjitha!”
Në total, katër herë brenda këtij viti, Donald Trump e ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në deklaratat e tij publike — gjithmonë si shembull të “paqeve” që pretendon se ka arritur personalisht.