Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > ​Tri vjet nga rënia e Qeverisë Kurti – gjithë çfarë ndodhi në seancën e 25 marsit

​Tri vjet nga rënia e Qeverisë Kurti – gjithë çfarë ndodhi në seancën e 25 marsit

Kuvendi i Republikës së Kosovës, i mbledhur në seancë plenare më 25 maj të vitit 2020, me kërkesë të 44 deputetëve, me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim, ka mbështetur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupi parlamentar i LDK-së.

Teksti i mocionit dhe arsyetimi i tij, në cilësi të iniciuesit, u lexuan nga kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai tha se ky mocion ka ardhur si pasojë e një mosveprimi të gjatë në lidhje me heqjen e plotë të tarifës, veprim ky që, siç tha ai, ishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, duke e bërë vendin subjekt të sanksioneve ekonomike amerikane.

“Në kohën kur vendi ka më së shumti nevojë për unitet të brendshëm dhe angazhim të plotë institucional në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, kryeministri Kurti vendosi t’i japë fund marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Gashi.

Ndër të tjera, ai tha se me votimin e këtij mocioni, Kuvendit do t’i krijohej mundësia për krijimin e një qeverie, e cila për një kohëzgjatje të caktuar do të sjellë stabilitet.

“Me anë të mocionit, Kuvendi krijon mundësinë e formimit të një qeverie të stabilitetit me kohëzgjatje të kufizuar, e cila do të adresonte sfidat imediate me të cilat po ballafaqohet vendi”, ka shtuar Gashi.

Prandaj, ai ftoi deputetët që të votohet pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Në anën tjetër, Rexhep Selimi nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, inicuesve të këtij mocioni iu tha se “në vend që të ishim aleatë, në kohën kur qytetarët kanë sytë kah qeveria dhe bota është në luftë kundër koronavirusit, ju zgjodhët aleatë kundërshtarët, meqë thirrët mocionin për rrëzimin e qeverisë”.

“LDK-ja, sot bashkë me aleatët e vjetër që duken sikur aleatë të rinj, po kërkojnë mocion mosbesimi në kohën më të vështirë për Kosovën deri më tani. Pra, kërkojnë rrëzimin e qeverisë, kur bota po vazhdon sërish të përballet me këtë pandemi si problem tashmë global”, tha Selimi.

Ai e konsideroi të pasaktë pohimin se ka sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shtoi se kjo qeveri nuk po rrëzohet si rezultat i mos heqjes së tarifës, e as për shkak të shkarkimit të ish-ministrit Agim Veliu, por për shkak të lehtësimit të arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

“Sanksionet e pretenduara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën, thjeshtë janë një trillim, nëse nuk do të ishin një dëshirë në kohën e qeverisjes Kurti, nga ana juaj”, shtoi Selimi.

Në emër të gp të PDK-së, Memli Krasniqi tha se seanca për votëbesimit të Qeverisë ka ardhur pas vetë-dorëzimit të kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë përballë sfidave që ka vendi ynë.

“Pra, nuk mund të kishte një fund tjetër një qeveri dhe një kryeministër, që për një kohë kaq të shkurtër e rrezikuan skajshmërisht aleancat më jetike për Kosovën, që dështuan të ofrojnë një program zhvillimi për pritjet e qytetarëve dhe që krijuan aq shumë kundërthënie brenda vetes për një periudhë të shkurtër”, tha Krasniqi, duke konfirmuar se PDK-ja do ta votojë rrëzimin e qeverisë.

“Partia Demokratike e Kosovës do të votojë pro mocionit të mosbesimit, jo vetëm sepse është në krye të opozitës dhe përshkrimi i natyrshëm i punës së çdo opozite të një vendi demokratik është që t’ia shkurtojë sa më shumë jetën qeverisë, por edhe sepse me të vërtetë kjo ka qenë qeveria më e paaftë e historisë së demokracisë së Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejtë”, tha Krasniqi.

Daut Haradinaj, nga grupi parlamentar i AAK-së, rikonfirmoi qëndrimin e subjektit që përfaqëson në raport me qeverinë aktuale, duke theksuar se kjo qeveri nuk do ta ketë jetën e gjatë, për arsyet të cilat janë tashmë publike, prandaj mbështesin këtë mocion.

“Diskriminimi buxhetor i zonave të caktuara ku pamëshirshëm janë sakatuar projektet më vitale të asaj zone, heqja e taksës pa asnjë profit për Republikën e Kosovës, krijimi i tregut për Serbinë dhe mos negocimi i saj me SHBA-të, por thjeshtë ndoshta edhe mos negocimi me aleatët e partnerët e koalicionit, tërheqja e investitorëve seriozë, shkarkimi i ministrit, janë disa nga arsyet pse Aleanca do ta mbështesë këtë mocion mosbesimi”, tha Haradinaj.

Për më tepër ai theksoi se kjo qeveri, nuk do të mbahet në mend për ndonjë të arritur të madhe, por do të mbahet mend për tentimin e krijimit të një monopoli, duke injoruar kështu tërësisht rolin e opozitës në demokracinë parlamentare.

“Z. Kurti tentoi të krijoi monopol, injoroi skajshmërisht opozitën, thjeshtë, nuk kishte interes as të na trajtonte, sikur të mos ishim të Kosovës”, tha Haradinaj, duke potencuar po ashtu edhe disa nga, siç tha ai, dështimet e qeverisë.

Nga grupi parlamentar i Listës serbe, Igor Simiq, shprehu kundërshtimin ndaj qeverisë Kurti, duke theksuar se kjo qeveri nuk ka treguar respekt të duhur ndaj popullit serb dhe përfaqësuesve të tyre.

“Para se gjithash, kjo qeveri nuk ka treguar aspak respekt ndaj popullit serb, respektivisht ndaj përfaqësuesve të popullit serb, që populli serb i ka zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha Simiq, duke konfirmuar po ashtu se janë kundër kësaj qeverie dhe do të votojnë pro mocionit të mosbesimit.

Kryetari i gp të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, theksoi se kjo qeveri përveç që ka krijuar krizë politike, do të mbahet në mend edhe për shkak të jetëgjatësisë së saj.

“Kjo qeveri do të mbahet në mend çdo herë në historinë tonë si qeveria më e shkurtër në vendin tonë, andaj krizën të cilën e ka shkaktuar ‘qeveria e shpresës’, ne si NISMA dhe Kuvendi, sot do t’i japim epilogun e vet”, tha Shala, duke konfirmuar votën pro mocionit.

“Nisma do ta mbështes dhe do të jetë pro mocionit të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Shala.

Përfaqësuesi i grupit parlamentar 6+, Albert Kinolli, tha se në këtë qeveri të cilën e kanë votuar dhe që janë partnerë të koalicionit, është zbehur dhe minimizuar raporti mes tyre, prandaj konfirmoi votën për për rrëzimin e saj, duke pasur parasysh gjithashtu se, siç tha ai, votat e tyre nuk janë vendimtare, pasi shumica është e siguruar.

“Vota jonë nuk do të jetë vendimtare, duke pasur parasysh vullnetin e shumicës, prandaj e përkrahim edhe ne”, tha Kinolli.

Duke marrë fjalën para deputetëve, kryeministri Albin Kurti përmendi të arriturat e qeverisë të drejtuar nga ai, gjatë këtyre 50 ditëve, duke potencuar se është krenar me kabinetin e tij qeveritar dhe me të arriturat e tij.

“Qeveria e re e Republikës, sot ndodhet në ditën e 50 të punës së saj. Sot mbushen 50 ditë që kemi bërë punë, jo që nuk i patëm 100 ditë për ta dëshmuar punon tonë, por nuk i patëm as 100 orë. Mund të them që jam krenarë me këtë kabinet dhe me të arriturat e tij”, tha Kurti.

Ai po ashtu përmendi një sërë vendimesh që janë marrë, siç tha ai, në të mirën e përgjithshme.

“Që në fillim i përgjysmuam pagat e kryeministrit, zëvendës kryeministrave, ministrave, zëvendës ministrave dhe stafit të tyre, por jo edhe pagat në sistemin e drejtësisë dhe në gjykatën kushtetuese. Dëshiruam të tregojmë se çka konsiderojmë vlerë dhe të sjellim etikë në politikë”, tha Kurti.

Kurti përmendi edhe shkarkimin e koordinatorëve, që i quajti të panevojshëm, shkarkimin e bordeve etj.

“Mua nuk më dhimbset kjo qeveri dhe aq më pak vetja, më dhimbsen qytetarët dhe populli se çka po i bëhet me këtë mocion mosbesimi. Së pari, ky mocion mosbesimi synon ta lë popullin pa qeverinë e tij, pa qeverinë për të cilën ka votuar”, tha Kurti.

Ai tha se kjo qeveri e ka mbështetjen e qytetarëve të saj.

“Ju të gjithë e dini se kjo qeveri e ka mbështetjen e qytetarëve të cilët janë në një gjendje aq të rëndë, sepse papunësisë në mesin e tyre dhe padrejtësisë ndaj tyre iu shtua edhe rreziku nga koronavirusi”, shtoi Kurti.

Debati lidhur me mocionin ndaj qeverisë vijoi gjatë gjithë ditës, me diskutime kryesisht të deputetëve të gp të VV-së dhe atyre të LDK-së, polemika midis tyre dhe po ashtu me anëtarë të kabinetit qeveritar.

Kryeministri Kurti, zv/kryeministrat Hoti e Abazi, si dhe ministri Konjufca, u përfshinë në diskutime lidhur me temën në trajtim, duke mbrojtur njëkohësisht pozicionet politike të partive që përfaqësojnë.

Fjalën e mori edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila tha se rrëzimi i qeverisë në këtë kohë është i pashembullt, duke shprehur keqardhje se kjo po ndodhë. Ajo tha se kur egoja po kërkon të mbushen apetitet politike, mjekët po përpiqen të shpëtojnë çdo jetë.

Kryeparlamentarja Osmani tha se sonte po u drejtohet vetëm qytetarëve të Kosovës.

“Të nderuar qytetarë, sonte iu drejtohem vetëm juve, sepse si deputetë mjaftueshëm i jemi drejtuar njëri-tjetrit me fjalë që lëndojnë raportet tona dhe qytetarët. Ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit në një vend ku shumë politikanë nuk e duan ndryshimin. Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan. Sot ne rrezikojmë ta humbim edhe atë fije solidariteti që e kemi. Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja, sepse në çastin që unë po flas Kosova dhe mbarë njerëzimi po përballen me sfidën e madhe të COVID19. Në këtë çast kur egoja jonë po kërkon t’i përmbushim apetitet politike, mjekët po përpiqen të shpëtojnë çdo jetë. Por ne kemi vendosur t’i lëmë ata të pashpresë në betejën e tyre jetësore, duke larguar qeverinë kur më së shumti ata kanë nevojë. Ne sot do të duhej të diskutonim e të merrnim vendime për t’ua lehtësuar punëtorëve shëndetësorë punën”, theksoi Osmani.

Ajo shtoi se sot do të duhej të diskutohej për barna e ushqime të domosdoshme, për masat shtesë për rastet sociale e grupet e rrezikuara nga virusi, për bizneset private që mund të falimentojnë.

Osmani tha se sot rrezikohet që në Kosovë të përhapet një epidemi tjetër, ajo e dehumanizimit të shpirtit.

“Unë besoj se qeveria ndërmjet partisë sime dhe Vetëvendosjes ka qenë e zonja të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe këtë e ka dëshmuar në këto pak ditë. Prandaj, nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, sepse konsideroj se duke e votuar atë, ne e braktisim vullnetin e qytetarëve tanë për ndryshim”, tha kryetarja Osmani, duke paralajmëruar votën kundër mocionit.

Më pas, me një fjalë përmbyllëse deputetëve iu drejtua kryeministri Albin Kurti, sikurse edhe kryetari i gp të LDK-së, Arben Gashi, në cilësi të iniciuesit të mocionit.

Pas shterjes së debatit, me shumicë votash Kuvendi miratoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupi parlamentar i LDK-së dhe mbështetur nga 44 deputetë.

Me këtë, kryetarja Osmani mbylli punimet e kësaj seance.

/TV Arbëria

Powered by WordPress