Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Tri pianiste nga Kosova me koncert në Ulqin

Tri pianiste nga Kosova me koncert në Ulqin

Tri pianiste nga Kosova, Zana Badivuku-Basha, Nezahate Shala-Zeka dhe Florita Raifi-Ajdini, do të mbajnë këtë të premte, 15 dhjetor, një koncert për piano duo dhe trio në Ulqin.

Para publikut të qytetit bregdetar malazez, artistet nga Kosova do të interpretojnë vepra me piano për katër dhe gjashtë duar të kompozitorëve botërorë, Cecile Chaminade, Maurice Ravel, Claude Debussy dhe Sergei Rachmaninoff, si dhe të kompozitorëve bashkëkohorë nga Kosova, Dafina Zeqiri-Nushi dhe Kreshnik Aliçkaj.

Koncerti, me fillim në orën 18.30, do të mbahet në Galerinë e Qendrës për Kulturë Ulqin, i cili institucion publik është edhe organizator i kësaj mbrëmjeje të muzikës klasike.

Zana Badivuku-Basha, Nezahate Shala-Zeka dhe Florita Raifi-Ajdini, të cilat janë profesoresha në Fakultetin e Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në nëntor të këtij viti u prezantuan edhe para publikut në Maqedoninë e Veriut, me një koncert në Qendrën kulturore “Shift Center” në Tetovë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress