Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Trendafilova nis vizitën në Kosovë, veteranët e kundërshtojnë

Trendafilova nis vizitën në Kosovë, veteranët e kundërshtojnë

Është vizita e parë për këtë vit në Kosovë e kryetares së Dhomave të Specializuara për Kosovën, Ekaterina Trendafilova.

Në Prishtinë e njëjta do të qëndrojë për tri ditë, por për takimet që do të ketë dihet shumë pak. I vetmi takim që është publik deri tash është ai i së martës, në mesditë ku e njëjta pritet të takohet me gazetarët.

Për agjendën e saj, përgjigje nuk kanë kthyer gjatë ditës nga zyra e Gjykatës Speciale.

Vizita e saj, është pritur me reagime kundërshtuese, nga organizata e veteranëve të UÇK-së, të cilët kanë kritikuar Gjykatën Speciale, për qasje arrogante e fyese ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Vizita e paralajmëruar e Kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, znj.Ekaterina Trendafilova, në Kosovë është jo vetëm e papranueshme, por edhe një fyerje e rëndë ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi. E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytetarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencën,përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike. Kjo qasje arrogante dhe fyese nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër! Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët.Historia nuk fshihet me dyer të mbyllura, poashtu as e vërteta nuk trembet nga sytë e publikut.” – thuhet në reagimin e OVL U UÇK-së.

Amer Aliaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare tek thotë se duhet respektuar çdo person që viziton Kosovën, ai shton se takimet e tilla nuk sjellin ndonjë informacion të ri sa i përket proceseve.
“Duke i percjellur disa prej takimeve të cilat i kanë mbajtur në të kaluarën përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara informatat që i ndajnë ata me opinion e Kosovës, asgjë më shumë e më pak nuk ndajnë nga ato që janë publike, në faqen e dhomave ndoshta mund të del ndonjë informatë e re, nëse kemi pyetje..” – tha Aliaj.

Ndërkohë që avokati Xhevdet Smakiqi, thotë se përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara do duhej të sjellin edhe një raport të punës së tyre për këto vite.
“Do të ishte normale dhe do duhej të ishte e detyrueshme që Trendafilova ta dorëzonte në këto 7, 8 vite sa ka funksionuar Dhomat e specializuara, ose Këshillit Gjyqësor ose Gjykatës Kushtetuese, apo ndonjë mekanizmi që do e ndërtonte Kuvendi i Kosovës, me mekanzima ndërkombëtar sepse e dim që nuk i raporton askujt” tha Smakiqi.

Takimi i fundit me përfaqësues të mediave të Kosovës, ishte mbajtur online, derisa vizitat e Trendafiloves në Kosovë viteve të kaluara ishin penguar me protesta e aksione simbolike./dukagjini