Vendimi i ZRRE-së për tregun e hapur energjetik që ka prekur mbi 1300 bizneseve në Kosovë, që sipas ekspertëve ekonomikë, rrezikon ta destabilizojë ekonominë e vendit, u anulua nga Gjykata Supreme.
Në një vendim të saj, Supremja shfuqizoi dy nene si të paligjshme në vendimin e ZRrE-së për tregun e hapur energjetik. Gjykata ka konstatuar se tregu i hapur energjetik në formën se si është bërë ka krijuar një situatë të pasigurisë ligjore dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike. Pas këtyre zhvillimeve, afaristi, Ramiz Kelmendi, konsideron se Supremja ndaloi korrupsionin e hapur me energji elektrike.
Sipas vendimit të Supremes, ZRrE krijoi paqartësi juridike edhe kur vendosi kufirin se cilat kompani do të dalin në treg të hapur, meqë, ajo kishte vendosur që në tregun energjetik do të dalin kompanitë që kanë mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim. Gjykata Supreme tha se vendimi i saj nuk mund të ankimohet. Ndërkohë, RTV21, ka provuar të marr një qëndrim edhe nga ZRrE lidhur me këtë vendim, por që deri më tani nuk janë përgjigjur. Tregu i hapur energjetik, i cili u shpall u jashtëligjshëm, gjatë 5 muajve sa ka funksionuar shkaktoi dëme të mëdha financiare për bizneset vendore, thotë Kushtrim Ajvazi, nga klubi i prodhuesve.
Çmimi për një megavat në bursat ndërkombëtare ku bizneset e Kosovës u detyruan të blejnë rrymën së bashku me transportin mesatarisht ka kushtuar rreth 200 euro, ndërsa në disa raste çmimi për megavat ka shkuar mbi 500 euro. Ndërkaq në një përllogaritje të thjeshtë, tregu i hapur energjetik, bizneseve për 5 muaj u kushtoi rreth 30 milionë euro. Ndërkohë, pothuajse e gjithë kostoja financiare për bizneset në fund u pagua nga qytetari konsumator, i cili gjatë këtyre 5 muajve u ballafaqua në vazhdimësi me shtrenjtim të çmimeve të produkteve.
Aktualisht inflacioni mujor në Kosovë sipas matjeve të fundit të ASK-së ka mbërritur në 5.1%. Në ketë periudhë më së shumti u shtrenjtua energjia elektrike e cila shënoi rritje për 20.1%, rritje kjo që ka ndikuar që të shtrenjtohet pothuajse çdo produkt tjetër nëpër tregjet e Kosovës.