Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar tre zyrtarë policorë brenda një periudhe prej tri ditësh, të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale, si organizimi i bixhozit të paligjshëm, keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, lëndimi i lehtë trupor dhe kanosja.Dy nga zyrtarët janë arrestuar më 18 nëntor, njëri nga Stacioni Policor në Ferizaj dhe tjetri nga ai në Kaçanik. Ndërsa arrestimi i tretë është realizuar më 20 nëntor, ndaj një zyrtari të Stacionit Policor në Kllokot, që funksionon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Në rastin e parë, polici nga Ferizaj dyshohet për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme që kanë të bëjnë me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, posedimin e paautorizuar të armëve, si dhe përdorimin e armës apo mjeteve të rrezikshme.Sipas dyshimeve fillestare të IPK-së, zyrtari policor, jashtë orarit dhe detyrave zyrtare, gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e lojërave të fatit online. Gjithashtu, dyshohet se kishte poseduar një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.
Gjatë hetimeve, hetuesit e IPK-së kanë kryer bastisje në shtatë lokacione. Aty janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë e gjatë gjuetie, dy thika, si dhe municion i llojeve të ndryshme.Në lidhje me këtë rast janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë, të dyshuar për veprën penale “Shitblerja e armëve”. Hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë në procedurë të rregullt. Ndërkohë, zyrtarit policor të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij.
Rasti i dytë ka të bëjë me një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kaçanik, i cili dyshohet për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur më 17 nëntor, pas orës 15:00, në fshatin Kaçanik i Vjetër. Në këtë rast, një patrullë policore, e përbërë nga katër zyrtarë, kishte arrestuar dhe prangosur një qytetar në oborrin e shkollës së fshatit.
Nga hetimet fillestare dyshohet se njëri prej policëve kishte tejkaluar kompetencat ligjore, duke përdorur forcën ndaj qytetarit edhe pasi ai ishte prangosur. Si pasojë, qytetari kishte pësuar lëndime trupore.Pas arrestimit, qytetari ishte dërguar në stacionin policor. Megjithatë, sipas IPK-së, zyrtarët nuk e kishin informuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale.
Më vonë, qytetari ishte liruar, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar tiketë kundërvajtëse për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.Edhe zyrtari policor i përfshirë në këtë rast është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tij, si dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë që kishin qenë pjesë e rastit.
Ndërkaq, arrestimi i tretë është realizuar më 20 nëntor, kur hetuesit e IPK-së kanë vënë në pranga një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kllokot, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë orëve të paradites së së premtes, në fshatin Podgorcë, në Komunën e Vitisë.
Bazuar në informacionet e mbledhura nga hetuesit, zyrtari policor dyshohet se ka kanosur dhe sulmuar një qytetar me një mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.Me urdhër të prokurorit kompetent, edhe ndaj këtij zyrtari është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Po ashtu, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës hetimore.
IPK-ja ka bërë të ditur se në të tri rastet veprimet hetimore janë zhvilluar në përputhje me autorizimet ligjore dhe në koordinim me prokuroritë kompetente.Hetimet për të gjitha rastet janë në vazhdim, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive eventuale.