Shkruan: Afrim Kasolli
Është thënë shpesh se fitorja e garës presidenciale nga kandidati i Partisë Republikane, Donald Trump, do ta ndryshojë edhe mënyrën se si kanë vepruar deri më tani SHBA-të në planin global. Tash e tutje parimet e rendit ndërkombëtar liberal, si tregtia, aleancat multilaterale dhe solidariteti demokratik do të jenë dytësore para sloganit “Amerika e Para” (America First). Për më shumë, sipas presidentit Trump , ato janë shndërruar në bumerang për interesat e Amerikës. Prandaj, në vend të angazhimit për ta mirëmbajtur më çdo kusht këtë arkitekturë globale, synimi strategjik i Uashingtonit duhet të jetë si ta bëjë përsëri Amerikën të madhe. (Make America Great Again). Kam shkruar për ndryshimet që do të inaugurohen në Uashington me 21 janar të vitit 2025, ku nuk bëhet fjalë për një tërheqje të Amerikës nga bota, por për më shumë për një “rikthim unilateral” të saj. Madje duke mos anashkaluar as “pretendime territoriale” sikur e ka shprehur se fundi dëshirën për rikthimin e kontrollit amerikan mbi “Kanalin e Panamasë” si dhe synimet për ta blerë nga Danimarka ishullin e Grenlandës.
Në këtë kontekst, kur kanë mbetur edhe pak kohë derisa presindenti Trump do ta marr detyrën, liderë nga shtete të ndryshme të botës janë nën ethe se si të veprojnë në përputhje me rrethanat e reja. Disa janë duke tentuar që ta sforcojnë ngjashmërinë ideologjike me pushtetin e ri në SHBA, si një mundësi për t’i maksimalizuar interesat e tyre nacionale. Kurse të tjerë duke vepruar paraprakisht në pajtim me pritjet e tij. Shembull konkret mund të merret propozimi i presidentit të Ukrainës, Vlodomyr Zelensky, se është i gatshëm për armëpushim dhe se tash e tutje rikthimin e territoreve të humbura do ta kërkojë vetëm nëpërmjet diplomacisë. Por kuptohet me kusht që të hapet dera e anëtarësimit të Kievit në NATO, propozim ky që deri më tani nuk është pranuar nga asnjë prej shteteve të Aleancës Veri-Atlantike.
Ndërkohë, disa nga drejtuesit e shteteve evropiane janë duke tentuar që ta miklojnë për aq sa munden në mënyrë që të shmangen konfrontimet me të. Pra ata e dinë se nuk kanë alternativë tjetër, pos ta ruajnë me çdo kusht bashkëpunimin me Amerikën, apo siç ka thënë shefi i ri i NATO-së, Mark Rutte, na duhet të “vallëzojmë me këdo që është në pistën e vallëzimit”. Apo raste sikur se pritja që i bëri presidenti francez, Emanuel Macron, para pak ditë me rastin e rihapjes së Katedrales ikonike Notre Dame në Paris. Ku edhe presidentja Osmani tentoi të përfitoi nga një fotografi çasti.
Nën një presion të tillë janë edhe rajone të tjera. Sipas mediumit britanik, The Guardian, në Lindje të Mesme, shtete të ndryshme gjenden në ankth se si duhet të sillen. Kështu, Arabia Sauditë një shtet që në masë të madhe varet nga SHBA-të, ka filluar të kalkulojë diversfikimin e politikës së jashtme, duke u afruar me Kinën dhe normalizuar raportet me Iranin. Për shkak të asaj që ka ndodhur në Gaza për më shumë se një vit është e pamundur të imagjinohet vazhdimi i modelit të Marrëveshjeve Abrahamike, si pjesë e strategjisë së dikurshme të Trumpit, për t’i afruar shtetet arabe me Izraelin. Në anën tjetër anëtarë të kabinet të kryeministrit Benjamim Natanyahu, kanë deklaruar se me ardhjen e Trumpit në pushtet janë krijuar rrethana për ta shtirë sovranitetin e shtetit të tyre që nga “Judea deri në Samaria” emër antik ky për Bregun Perëndimor.
Mirëpo, është befasuese se si një kohë kur liderë të shteteve që nuk kanë probleme si Kosova janë aktivizuar secili në mënyrën e vet për t’iu përshtatur parimit të ri diplomatik të Uashingtonit që i preferon raportet bilaterale në raport me ato transatlantike, vetëm Kosova është indiferente në këtë drejtim. Thuajse nuk kanë ndodhur asgjë. Derisa impulset e para të militantëve të pushtetit propagandonin shndërrimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit në një referendum popullor për Albin Kurtin, si e vetmja mënyrë për ta mbrojtur nga rreziku mund t’i imponohet Kosovës pas 21 janarit. Madje ky i fundit para pak ditë pat deklaruar se preferon marrëveshjen e Brukselit para asaj të Uashingtonit. Mirëpo, siç ka deklaruar dje në një interviste për mediumin Evropa e Lirë, ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, “tashmë në krye të Shtëpisë së Bardhë, ndodhet një administratë e cila nuk është mike e Bashkimit Evropian. Donald Trump nuk është dikush që mendon shumë për Bashkimin Evropian”.
Prandaj, kjo kthese në politikën e jashtme amerikane ka rëndësi specifike për Kosovën. Ajo mund të krijojë mundësi për fitore dhe zhbllokim të fatit ndërkombëtar të shtetësisë, por edhe për humbje përfundimtare, nëse nuk lexohen drejtë tendencat e reja gjeopolitike nën drejtimin e SHBA-ve./tvarbëria/