Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Trashëgimia e (physis) si “shpëtim” për krizat bashkëkohore

Trashëgimia e (physis) si “shpëtim” për krizat bashkëkohore

Shkruan: Afrim Kasolli – Në një kohë kur kriza ekologjike ka marrë përmasa serioze duke shkaktuar çrregullime të shumanshme në ekosistemin e Tokës, pikërisht për shkak të mënyrës së sjelljes së njeriut ndaj natyrës dhe ambientit të jashtëm, mbase ka ardhur koha për t’i rimenduar rrënjët e saj duke i marrë në konsideratë disa nga konstatimet etike dhe mendore të filozofisë antike greke.

Sepse, ashpërsimi dhe radikalizmi i kësaj krize, siç është potencuar nga studiues të ndryshëm, është edhe rezultat i asaj paradigme mendore filozofike që është shtresëzuar përgjatë këtyre tre shekujve të fundit, e cila si e tillë në vend të afirmimit të ekuilibrit ndërmjet njeriut dhe natyrës, e ka promovuar një qëndrim instrumental, shfrytëzues dhe eksploatues të kësaj të fundit, për plotësimin e nevojave njerëzore.

Këto “impulse” të filozofisë, mendimit dhe shkencës moderne, i patën vënë në pah dy mendimtarët e njohur të Shkollës së Frankfurtit, Max Horkeimer dhe Theodor W. Adorno në librin e tyre emblematik “Dialektika e iluminizmit”. Sipas tyre, me anë të këtij projekti ishte synuar hapërimi i njeriut drejt çlirimit absolut dhe përfundimtar.

Pra, iluminizmi, në kuptimin më të gjerë progresiv të fjalës ka pasur si qëllim t’iu largojë frikën njerëzve dhe t’i trajtojë ata si zotër. Por “toka plotësisht e iluminuar filloi të rrezatonte sinjale të një katastrofe kumbuese.

Sepse, ajo çka njerëzit donin të mësonin prej natyrës sipas këtij programi, është si ta përdornin atë, që më së fundmi ta zotërojnë si natyrën ashtu edhe njeriun”, Postulate këto që qëndronin në antinomi të plotë me ato të mendimit antik lidhur me detyrimet njerëzore në raport me natyrën.

Madje vetë shkëndijimet mendore filozofike u lindën nga admirimi dhe mahnitja për kozmosin, misteret e universit dhe natyrën. Ndërkohë, kjo e fundit, duhej të studiohej dhe hulumtohej, jo me qëllim që të dominohej, por se duke i kuptuar rregullat dhe ligjet e saj do të ndërtohej një rend harmonik dhe i drejtë shoqëror, politik dhe etik. Kjo edhe është arsyeja që mendimtarët e parë të kësaj epoke ndryshe u quajtën si “filozofë të natyrës”.

Sepse me pandehmat e tyre ata ishin në kërkim shkakut të parë dhe origjinës së të gjitha gjërave të cilat lindin dhe dalin nga një element i përbashkët natyror e ku përsëri rikthehen në gjirin e tij, qoftë ai uji, ajri apo zjarri. Ky rend është i paracaktuar sipas konturave të një logosi universal dhe racional. Prandaj, nuk ka dhe nuk mund të ketë dije më sublime sesa të kuptuarit dhe të vepruarit në pajtim me parimet dhe esencën e tij. Kurse motivi për t’u përkujdesur për esencën e këtij rendi e formëson thelbin e virtytit. Brenga për funksionimin e ekuilibruar të “fizisit” (physis) ishte shtysa primare e kërkimeve metazifike.

Kështu, etika dhe mendimi politik antik lirisht mund të definohen edhe si “etikë ambientaliste”. Me anë të arsyes synohej instruktimi i qenieve njerëzore si të jetonin në pajtim me rendin e natyrshëm të gjërave e duke i shmangur ekstremet. Këto të fundit e formonin burimin e hybris-it njerëzor.

Në këtë kontekst, dy nga veprat me të spikatura të teorisë politike së asaj kohe, si “Republika” Platonit dhe “Politika” e Aristotelit, mëtonin ta ndërtonin një përkitje të plotë ndërmjet rregullimit politik dhe natyrës. Sepse, kur ajo që nuk është e natyrshme bëhet dominante në një shoqëri atëherë pason çrregullimi, padrejtësia dhe kaosi. Sipas Leo Strauss-it, në veprën e tij “What is Political Philosophy?” filozofia politike antike ishte “fillim e fund çështja për të cilën rendi politik përputhet me natyrën më së miri gjithkund, dhe ne mund të shtonim gjithmonë”.

Në pajtim më këto postulate si etika ashtu edhe rendi i duhur politik nuk mund të ndërtohen duke u bazuar në një realitet transcendent hyjnor, por vetëm duke e gjurmuar natyrën e tyre të brendshme. Sepse, sipas Platonit, drejtësia është kusht natyror si i shpirtit njerëzor ashtu edhe i shoqërisë politike.

Ndërkohë është e njohur thënia e Aristotelit, se njeriu prej natyre është një “qenie politike” dhe se qëllimi i çdo shoqërie politike duhet të jetë realizimi praktik dhe etik i lumturisë njerëzore.

Kuptohet, jo çdo konstatim filozofik antik mbi atë që definohej si e natyrshme mund të pranohet sot. Bie fjala, Aristoteli vetë skllavërinë e konsideronte si nënshtrim që reflekton natyrën e skllavit. Por ajo që i dallonte konceptet e tyre mbi natyrën nga ato moderne ishte se për këta mendimtarë natyra shërbente si masë matëse dhe parim normativ për veprimet njeriut. Sepse ky i fundit nuk ishte sundimtar dhe i ndarë nga natyra, por bari i saj. Kjo edhe është arsyeja që njeriu duhet t’i njohë qëllimet e makrokozmosit.

Madje, në sfond të kësaj tradite më vonë në kuadër të përvojës romake ishte ngjizur edhe ideja kulturës, që si nocion buron prej fjalës “colere” që do të thotë të kultivosh, të banosh, të përkujdesesh, të ruash, dhe ajo lidhet në radhë të parë me marrëdhënien e njeriut me natyrën në kuptimin e kultivimit dhe përkujdesjes ndaj natyrës, deri sa ajo të bëhet e përshtatshme për banimin njerëzor. Si e tillë ajo tregon një qëndrim përkujdesje e plot dashuri dhe është në kontrast të thellë me të gjitha përpjekjet që bëhen për nënshtrimin e natyrës ndaj sundimit të njeriut.

Natyrisht, shtjellimi i mendimit antik grek mbi raportet e njeriut me natyrën, nuk do të thotë se ne duhet të pushtohemi nga një nostalgji romantike për një epokë që edhe po të duam nuk mund të rikthehet. As që ne duhet ta kërkojmë shpëtimin mbi çekulibrimet aktuale ekologjike vetëm në muzeun teorik të asaj bote që ende vazhdon ta mahnit njerëzimin me krijimet e saj filozofike, artistike dhe kulturore.

Por qëllimi i këtij elaborimi mbetet vetëm afirmimi dhe potecimi i atyre vizioneve dhe përvojave natyraliste, si pjesë e përpjekjeve për një rikonceptim dhe rimendim të raportit aktual të njeriut me natyrën për t’i hapur rrugë konsolidimit të një etike filozofike ekocentrike, e cila është bërë mbase aktuale. E çdo ndryshim i duhur fillon vetëm nga ndryshimi i mënyrës së të menduarit.

/TV Arbëria

 

Powered by WordPress