Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Trashëgimia e përhershme e Skënderbeut për shqiptarët

Trashëgimia e përhershme e Skënderbeut për shqiptarët

6 maji shënon edhe ditëlindjen e krye-heroit të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Figura e tij zë një vend sipëran në panteonin e historisë sonë kombëtare. Ai është personifikimi i një epoke të lavdishme të rezistencës dhe luftës për liri kundër pushtuesit.

Nën drejtimin, vizionin dhe shkathtësitë e tij luftarake dhe politike, kombi shqiptar e njohu një nivel të jashtëzakonshëm të organizmit shtetëror. Suksesi i tij mahnitës mbase i dedikohet dy mësimeve kryesore që edhe ia ka lënë trashëgim popullit të tij. E para kur kishte pohuar se “lirinë nuk ua solla unë, por atë e gjeta në mesin tuaj”, si dhe e dyta se asnjë përpjekje për shtet-ndërtim nuk mund të ketë sukses pa bashkimin paraprak të të gjitha shtresave, rrymave dhe forcave politike dhe shoqërore në funksion të një qëllimi të përbashkët.

Këto dy veçori e bëjnë Skënderbeun simbol te rezistencës dhe bashkimit. Ai e dinte se përballë një pushtuesi shumë herë më të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh,bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm e të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar. Në këtë drejtim ai u bë kreatori i Besëlidhjes shqiptare, çfarë edhe shënon njërin nga bashkimet më sublime politike kombëtare. Kështu “bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut”.

Këto arritje e kanë shndërruar trashëgiminë tij në një thesar të përhershëm për kombin shqiptar. Për të nderuar veprën dhe rëndësinë e tij historike, sot “Korporata Kryeziu” dhe “Organizata Shqiptaria” organizojnë një tubim madhështor në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë. /TV Arbëria

Powered by WordPress