Shpresat më të mëdha për të fituar medalje në Lojërat Evropiane Kosova i kishte tek boksierja Donjeta Sadiku, por as ajo nuk ia doli pasi u eliminua në çerekfinale.
Për ecurinë e saj në këto lojëra, ka reaguar trajnerja e Sadikut, Mariola Sallauka. Ajo përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se Donjeta ishte shumë e përgatitur për të fituar medalje, por që fati nuk ishte me të.
“Donjeta Sadiku renditet e 5-ta në Lojërat Evropiane- Krakov 2023. Synimet tona ishin qe Donjeta te sigurojë medalje dhe të kualifikohet për Lojërat Olimpike 2024. Me një formë të shkëlqyer që shfaqi në dy meçet e para, besuam shumë që po ashtu do të kalojë dhe meçin e tretë, mirëpo fati ndonjëherë di të befasojë.”, ka shkruar fillimisht Sallauka.
Ajo tutje është shprehur e bindur se normën olimpike për Paris 2024 Donjeta do ta arrij në garat e ardshme ndërkombëtare
“Në këto meçe Donjeta tregoi cilësi në teknikë të boksit, e në përgatitje të fortë fizike e kondicionale, ku shpesh vuri në pozita të pa lakmueshme kundërshtaret e saj. E sa për performancen e Donjetes në këto lojëra, po ju përkujtojë që Donjeta ishte e vetmja sportiste që ishte më afër medaljes dhe kualifikimit. Po i lëmë pas këto lojëra vetëm me një qëllim, për të ardhmen, që të vazhdojmë të punojmë fortë për gara , ku besoj fuqishëm që kualifikimin Donjeta do ta sigurojë në garën e ardhshme kualifikuese.”, ka shkruar në fund Sallauka.
Ndryshe, Kosova u kthye pa asnjë medalje nga Lojërat Evropiane që u mbajtën në Poloni.
/TV Arbëria