Rada Trajkoviqin nuk e ka zbutur fakti që së fundmi u bë pjesë e Qeverisë së Kosovës, duke u emëruar këshilltare e ministrit të ri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Trajkoviq e ka goditur sërish kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën serbe, Danas. Trajkoviq ka thënë se Kurti ua hoqi serbëve të drejtat e fituara.
Ajo pati kritika për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq se “ia dorëzoi Kosovës pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor”.
“Askush nuk thotë se Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, nuk e ka atë ngurtësi në kuptimin që serbëve ua heq të drejtat e fituara. Mirëpo, publiku serb dëgjon shumë shpesh se Marrëveshja e Brukselit nuk vlen më, gjë që nuk është e vërtetë. Duhet ditur se Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, ia dorëzoi Kosovës pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Ai pranoi gjithçka. Çështjen e serbëve në Kosovë e la si çështje të brendshme të Kosovës dhe qeverisë së Kosovës”, tha Trajkoviq.
Ajo theksoi veçanërisht moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit.
“Ne e kemi këtë obligim për të cilin insiston bashkësia ndërkombëtare, madje edhe ambasadori amerikan ia ka vënë si kusht Kosovës që në atë rast vendimi i Gjykatës Kushtetuese të zbatohet, nuk do të marrë statusin në Këshillin e Europës. Pra, tani është çështje e bashkësisë ndërkombëtare që të zbatojë pjesën që Kosova e pranoi”, tha Trajkoviq.
Ajo ia dha disa këshilla Vuçiqit se si të punojë për serbët në Kosovë. Çështja e veriut të Kosovës tha se nuk zgjidhet me ushtri.
Para pak muajsh, Trajkoviq e kishte krahasuar Kurtin me kriminelin e luftës, ish-presidentin serb Sllobodan Millosheviq. /TV Arbëria