Ndërmarja publike “Trainkos” ka reaguar pas incidentit të ndodhur të shtunën më 3 maj në afërsi të fshatit Grabovc, ku një pasagjere 26-vjeçare u lëndua në kokë si pasojë e goditjes me gurë nga jashtë trenit në lëvizje.
Në reagim thuhet se ky akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pasagjerëve, stafit si dhe për integritetin e shërbimeve hekurudhore të Trainkos.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga mjekët emergjentë, duke u transferuar më pas për trajtim të mëtejshëm në QKMF në Drenas. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të implikuarve në këtë incident. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo veprim të dyshimtë apo të rrezikshëm në afërsi të linjave hekurudhore. Bashkëpunimi i komunitetit është thelbësor për të parandaluar incidente të tilla dhe për të ruajtur sigurinë e transportit publik. Trainkos mbetet i përkushtuar për të ofruar shërbime të sigurta dhe të besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Trainkos bën thirrje publike dhe të fuqishme për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla të rrezikshme si hedhja e gurëve apo çfarëdo objekti tjetër në drejtim të trenave në lëvizje. Këto veprime nuk janë vetëm të papërgjegjshme dhe të paligjshme, por përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pasagjerëve, stafit hekurudhor dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë shërbim publik. Ne u bëjmë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla. Vandalizmi ndaj trenave nuk është lojë është krim që mund të marrë jetë njerëzish. Gjithashtu, ftojmë çdo qytetar që sheh ose ka dijeni për persona që kryejnë këso aktesh, të lajmërojnë menjëherë organet kompetente ose Trainkos-in, në mënyrë që të ndërhyhet sa më shpejt dhe të parandalohet ndonjë tragjedi e mundshme. Siguria është përgjegjësi e të gjithëve. Le të bashkohemi për ta mbrojtur atë”, thuhet në reagim.