Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje komunën e Malishevës. Dy vëllezër u vranë me armë zjarri në fshatin Gollubovc, ndërsa si i dyshuar për këtë krim është arrestuar sot në mëngjes Astrit Isufi, dhëndër i viktimave.
Policia e Kosovës njofton se Isufi është kapur rreth orës 06:25 në fshatin Pllaqicë, pas një kërkimi intensiv që zgjati gjatë gjithë natës.
Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohet për plagë që dyshohet t’i ketë shkaktuar vetë me armë zjarri. Burime nga QKUK konfirmojnë se gjendja e tij është stabile, ndërsa ai po ruhet nga policia.
Në vendin e ngjarjes, policia kishte gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në këtë rast tragjik.
Prokuroria Themelore e Gjakovës ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit dhe ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Astrit Isufit.
Hetimet për motivin dhe rrethanat e vrasjes së dyfishtë janë ende në zhvillim, nën drejtimin e Prokurorit të Shtetit.
Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje që ka tronditur opinionin publik në Malishevë. /TV Arbëria