Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Tragjedia dhe dashuria

Tragjedia dhe dashuria

Shkruan: Afrim Kasolli – Tragjedia dhe dashuria shpeshherë kanë fqinjëruar njëra me tjetrën dhe kanë zënë një vend sublim në opusin e krijimeve letrare. Natyrisht, nuk është akti në vetvete që bënë dashurinë tragjike, siç ka shkruar Hegeli në ligjëratat e tij mbi “Estetikën”. Por koha dhe rrethanat shoqërore ndikojnë që nga ky pasion të prodhohen edhe tragjedi njerëzore.

Këtë fenomen mendimtari i njohur gjerman e portretizon nëpërmjet rënies në dashuri të Romoes dhe Zhulietës me njëri tjetrin. Ky pasion nuk është mëkatar në esencë. Ngase dashuria e tyre nuk paraqet ndonjë transgresion, mirëpo është urrejtja, konflikti dhe armiqësia e familjeve të tyre që nuk do ta miratojnë këtë lidhje. Dhe pikërisht kjo rënie në altarin e dashurisë i jep karakter tragjik këtij fundi.

Në rrethana tjera dy personazhet kryesore të veprës së Shekpsirit, do të kishin mundur ta jetonin jetën e zakonshme të tyre. Dhe nën prozën e zakonshme të saj mbase do të ishte shuar vetvetiu zjarrmia poetike e kësaj dashurie. Prandaj, pikërisht kjo dashuri e penguar e bënë atë tragjike.

Këto përsiatje mu kujtuan deri sa isha duke e rilexuar librin “Vjeshta e ankthit” të shkrimtarit të njohur Bashkim Shehu, ku prezantohet kronologjia mortore e rënies së Mehmet Shehut dhe familjes së tij, ish -kryeministrit të shtetit shqiptar dhe bashkëpunëtorit më të ngushtë për një periudhë të gjatë kohore të Enver Hoxhës.

Pikënisja e kësaj “materie funebre” fillon me një fejesë të gabuar. Skenderi, djali i Mehmetit fejohet me Silvia Turdiun, një vajzë me të kaluar të dyshimtë familjare, sipas interpretimit ideologjik të kohës, sidomos nga e ana e s’ëmës. Ajo qëllon të ishte mbesa e Arshi Pipës, kritikut të njohur dhe të dënuar nga ish-regjimi komunist në mungesë për veprimtari armiqësore, por i cili jetonte dhe vepronte në SHBA. Bie fjala, në rrethanat e sotme kjo fejesë do të ishte një ngjarje tërësisht private, por në atë kohë nënshtrimi ndaj këtij pasioni lidhej me një mëkat ideologjik.

Se si zhvillohet mëpastaj ngjarja është e njohur nga te gjithë. Ky akt konsiderohet nga byroja politike në krye me Enver Hoxhën si tradhti ndaj parimeve të marksizëm-leninizmit dhe luftës së klasave. Në fund edhe vet Mehmet Shehu vendos ta prish fejesën. E miraton interpretimin zyrtar, se pasioni personal, vullneti individual dhe shtytjet brendshme të zemrës njerëzore nuk guxojnë të vihen para rregullave të diktaturës së hekurt të proletariatit. E sakrifikon dashurinë e çiftit të sapofejuar. Pajtohet që ta mohoi të drejtën intime të dy të rinjve për t’u lidhur ndërmjet vete pa ngarkesa ideologjike.

Nuk e pranon kërkesën e të birit që të largohet nga blloku, parajsa komuniste në mes të ferrit totalitar, me të sapofejuarën vetëm që të mos ndahen. Përulet para diktatorit. Kërkon mëshirë prej tij. I lutet që t’ia falë këtë shkarje. Por, asnjë nga këto përpëlitje nuk kryen punë. Sepse, siç thotë Bashkim Shehu në shpjegimin e këtij “ankthi mortor”, të gjitha orvatjet e tij vetëm sa ja përshpejtonin rrënimin, ngase “Mehmet Shehu vetë nuk bëri asgjë për ta ndaluar këtë rënie. Nëse bëri diçka, ajo ishte pikërisht e kundërta e asaj që duhet ta bënte: vetëfajsimi, vetëqortimi i vazhdueshëm, dorëzimi i plotë i vetvetes ndaj vullnetit të shokut të tij dhe torturuesit dhe vrasësit të tij”.

Gjatë gjithë asaj “stine të mërzitshme” atij i kërkohej që të thellohet gjithnjë e më shumë në autokritikë para shokëve të partisë, për të zbuluar shkaqet e njëmendta që e shtynë fillimisht ta miratoj një lidhje me bazë armiqësore. Se si kishte guxuar ta vinte veten dhe familjen para partisë.

Janë këto raste në mesin e shumë tjerave, që dëshmojnë se si dashuritë mund të përfundojnë në tragjedi.

/TV Arbëria

Themes by WordPress