Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Tradhtia Evropiane ndaj Kosovës: Pse BE-ja Po Fsheh Aplikimin për Anëtarësim?

Tradhtia Evropiane ndaj Kosovës: Pse BE-ja Po Fsheh Aplikimin për Anëtarësim?

Nga Shenoll Muharremi

Dje ndodhi një injorim i turpshëm nga Këshilli i Bashkimit Europian për Kosovën që rrezikon paqen dhe stabilitetin në Europë. Këshilli i Bashkimit Europian, përsëri, injoroi pamëshirshëm aplikimin e Kosovës për anëtarësim të dorëzuar dy vite më parë! Kur shikon raportin, për secilin vend tjetër BE fokusohet te negociatat, procesi i skriningut, hapja dhe mbyllja/përfundimi i kapitujve të negociatave…anëtarësimit të tyre në BE. Jo për Kosovën.

Kur vjen radha e Kosovës, e cila është e listuar e fundit (pas BiH) në rajon edhe për nga renditja (që nënkupton rënditjen në procesin e anëtarësimit), aty nuk përmendet fare aplikimi! Sikur të mos kishte ekzistuar fare. Thuhet diçka tjetër: ‘Këshilli mirëpret hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës’. Procesi i liberalizimit të vizave ka përfunduar dekada më herët për rajonin si proces.

Kjo tregon shumë; fatkeqësisht, tregon që konsiderimi dhe vlerësimi, sidomos përgjigja rreth aplikimit, nuk është në rend dite. Nuk njihet fare nga BE. “Nuk po ju shohim!” Paksa zhgënjyese për shkak se BE po shkel vetë parimet dhe traktatet e saj. Premtimet se të gjitha vendet do të trajtohen njësoj dhe në baza meritore nuk janë të vërteta. Kosova nuk po trajtohet me meritë, por si një bastard më shumë. Si shpjegohet ndryshe fakti që BE kaq pamëshirshëm ka injoruar aplikimin e Kosovës?

Derisa për Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë dhe të tjerët tregon cilët kapituj u negociuan dhe përfunduan e cilët jo, te Kosova fokusohet te dialogu dhe çfarë Kosova duhet të bëjë, kompromiset me Serbinë mbase. Edhe për Bosnje dhe Hercegovinën thotë që “Këshilli mirëpret vendimin e Këshillit Evropian më 21-22 mars 2024 për hapjen e negociatave të anëtarësimit”.

Kështu, Kosova po vazhdon të mbetet mbrapa vendeve të tjera të rajonit, por jo për fajin e saj. BE nuk po arrin të gjejë konsensus të brendshëm që të lëvizë me Kosovën, siç bëri edhe me vizat kur prolongoi pafundësisht vendimin për Kosovën me vite, edhe pse Komisioni Europian kishte konfirmuar që Kosova ka plotësuar kushtet.

Ky është një problem i BE-së, e cila duhet të mendojë të modifikojë rregullat e saj rreth zgjerimit dhe të aplikojë vendimmarrje me shumicë cilësore e jo me konsensus, ku secili vend anëtar mund të sabotojë apo bllokojë një vend nëse dëshiron, pa u bazuar në parime dhe meritokraci.

BE nuk po e dëmton vetëm Kosovën dhe rajonin, por edhe vetveten. Në vend se të fokusohet për të arritur paqe dhe stabilitet, aq shumë të nevojshëm në Ballkan, po lejon të prolongojë proceset integruese për rajonin dhe, duke bërë këtë, po lejon vendet si Serbia apo edhe Rusia të shpresojnë që kufijtë në Ballkan ende mund të ndryshojnë në të ardhmen (pafundësisht).

Kosova duket të jetë e parëndësishme për BE-në, por nga konteksti i sigurisë, ky rajon, kur Europa ka bërë lëshime të tilla, ka shërbyer si inkubator i krizave të cilat janë shpërndarë në Europë.

Mosavancimi i Kosovës nga Këshilli i Bashkimit Europian jo vetëm që ekspozon BE-në si një aktor i pavendosur dhe heterogjen pa një politikë të përbashkët të sigurisë dhe të jashtme, por gjithashtu e vë në rrezik sigurinë e rajonit dhe të Europës.

Mbase BE nuk ka mësuar shumë nga Ukraina dhe konfliktet në Ballkan. Sikur të kishte mësuar, sot Kosova do të kishte statusin e kandidatit dhe do të flisnim për negociata të anëtarësimit, sikur me të gjitha vendet tjera. Derisa kjo të ndodhë, BE po kontribuon në destabilitetin e rajonit dhe vetë Europës si pasojë e mosmarrjes së vendimeve që forcojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan, ku Kosova është thelbësore.

Kjo është fryma kryesore e Konluzioneve e Këshillit të Bashkimit Europian për Zgjerimin (17 dhjetor 2024):

MNG: Këshilli mirëpret përparimin e mirë të bërë në negociatat e pranimit deri më tani, me të 33 kapitujt e kontrolluar të hapur dhe 6 të mbyllur përkohësisht.

Serbi: Këshilli mirëpret përparimin e përgjithshëm të bërë në negociatat e anëtarësimit deri më tani, me 22 nga 35 kapitujt e negociatave të hapura dhe 2 të mbyllura përkohësisht.

Shqipëri: Këshilli mirëpret hapjen e grupit themelor me Shqipërinë në konferencën e anëtarësimit më 15 tetor 2024 dhe hapjen e fundit të grupit të marrëdhënieve të jashtme.

Maqedonia e Veriut: Këshilli mirëpret nivelin e përgatitjes së Maqedonisë së Veriut në fushat kyçe. Ai vë në dukje se nevojiten ende hapa të përhershëm dhe vendimtarë për të përshpejtuar zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, veçanërisht në fushat e bazave dhe sundimit të ligjit ku është bërë vetëm përparim i kufizuar.

Bosnje dhe Hercegovinë: Këshilli mirëpret vendimin e Këshillit Evropian më 21-22 mars 2024 për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën, bazuar në rekomandimin e Komisionit të datës 12 mars 2024.

Kosovë: Këshilli mirëpret përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe reformat përkatëse. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën më tej në reformat e saj dhe zbatimin e qëndrueshëm të tyre, duke përfshirë ato të fokusuara në rrugën e saj evropiane. Këshilli mirëpret hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Themes by WordPress