Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > “T’met n’fyt”, vazhdon fushata kundër produkteve serbe

“T’met n’fyt”, vazhdon fushata kundër produkteve serbe

Shkruan Etrit Rexhepi

“Duaje Kosovën, shkatërro grupet kriminale që luftojnë Republikën tonë.”

Kështu po shkruan në këtë poster të vendosur në objektin e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN).

Posterë si ky dhe të ngjashëm me të, janë vendosur gjithandej kryeqytetit dhe në mbarë vendin tonë, si pjesë e një fushate, e organizuar nga një grup vullnetarësh, i quajtur “Besa-Besë”, e cila bën thirrje për bojkot të produkteve serbe në Kosovë.

Ajo po zhvillohet edhe në rrjete sociale dhe po gjen mbështetje të madhe në vend.

Kjo më së miri tregohet në një video të postuar nga Shqipdon Saliaj, krijues i videove me profesion.

Video e publikuar në kuadër të kësaj fushate, në të cilën është protagonist vet autori i saj, i krahason produktet serbe me plumba armësh, si një metaforë për atë që paraqesin produktet serbe për qytetarët e vendit tonë, sipas autorit të këtij krijimi.

Videoja është vlerësuar dhe ka marrë mjaft pëlqime në rrjetet sociale.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by @shqipdonsalijaj (@shqipdonsalijaj)


Jehona e kësaj video ka arritur edhe në vendin, kundër të cilit drejtohet fushata.

Aleks Djurcic, një avokat serb në SHBA, i njohur për qëndrime kundër Republikës së Kosovës, kishte reaguar në twitter, ndaj videos në fjalë, duke fajësuar autoritetet e vendit tonë për orkestrim të fushatës për bojkot ndaj produkteve serbe.

“Pra, Perëndimi pret që Serbia të negociojë me autoritetet në Kosovë* ndërsa Kosova* orkestron një bojkot të produkteve serbe me reklama si kjo ku patatinat dhe biskotat janë plumba? Si të negociosh me dikë që negocion me mosbesim?”, shkruante Djurcic.


Vitin e kaluar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), publikoi raportin, sipas të cilit, Kosova gjatë vitit 2022 kishte importuar nga Serbia,mallra me vlerë deri në 341 milionë e 637 mijë euro.

Nuk dihet se cila do të jetë situata sa i përket importit nga Serbia, për këtë vit, por duket që fushata për bojkotin e produkteve serbe në Kosovë, do të vazhdojë. /TV Arbëria