Lindjet nuk mbulojnë vdekjet
Të dhënat tregojnë se nga janari në mars 2026, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi negative me 368 vdekje më shumë se lindje. Gjatë kësaj periudhe, në jetë erdhën 5.146 foshnje, ndërsa u regjistruan 5.514 vdekje, shkruan rtsh.al,
Ndonëse numri i lindjeve shënoi një rritje të lehtë prej 1,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, dhe vdekjet ranë me 7,4%, bilanci i përgjithshëm mbetet në disavantazh të jetës së re.
Bilanci i vitit 2025, rënie në të dyja frontet
Viti i kaluar, 2025, ndonëse u mbyll me një shtesë natyrore pozitive (+1.147 lindje më shumë se vdekje), konfirmoi një rënie të ndjeshme në krahasim me vitin 2024. Gjatë gjithë vitit u regjistruan 22.541 lindje (një rënie prej 3,3%) dhe 21.394 vdekje (një rënie prej 3,2%).
Harta demografike e vendit tregon një polarizim të theksuar mes kryeqytetit dhe qarqeve të tjera. Tirana mbetet “motori” i vetëm demografik, duke mbajtur peshën kryesore të lindjeve.
Panorama e qarqeve (viti 2025)
Tirana kryeson me 10.866 lindje, duke qenë i vetmi qark që shënoi rritje (20,7%).
Gjirokastra regjistroi numrin më të ulët me vetëm 292 foshnje të lindura. Rënia më e thellë u shënua në qarkun e Dibrës (-37,7%).
Ashtu si me lindjet, Tirana mban numrin më të lartë të vdekjeve (5.483), ndërsa Kukësi ka numrin më të ulët (486 vdekje), duke shënuar dhe rënien më të madhe me -8,8%.
Çfarë po ndodh në 2026?
Trendi i tremujorit të parë të 2026-ës paraqet një hartë pak më ndryshe të lëvizjeve brenda qarqeve.
Tirana sërish dominon me 2.438 lindje. Surprizën këtë tremujor e ka bërë Berati, i cili shënoi rritjen më të madhe të numrit të lindjeve me 14,5%. Ndërkaq, Gjirokastra thellon krizën me vetëm 59 lindje në tre muaj (një rënie prej 23,4%).
Tirana regjistroi 1.422 vdekje. Përveç Elbasanit që pati një rritje të lehtë të këtij treguesi (+3,2%), 11 qarqet e tjera panë një rënie të numrit të fataliteteve, ku spikat Kukësi me një rënie të ndjeshme prej 28,3%.
Këto lëvizje tregojnë se Shqipëria nuk po përballet me rritje të vdekshmërisë, por edhe me një krizë të ripërtëritjes së gjeneratave.