Në datat 13 dhe 14 tetor 2025, Tirana do të mirëpresë Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor (EU-Western Balkans Investment Forum), i mbështetur drejtpërdrejt nga Komisioni Evropian.
Forumi do të mbahet në Pallatin e Kongreseve të Tiranës në Shqipëri, duke ofruar një platformë unike për të nxitur investimet e huaja direkte, inovacionin dhe integrimin ekonomik të rajonit.
Ky event që mbështetet nga Komisioni Europian synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), shkruan RTSH.
Zhvillimi i Forumit përbën një moment strategjik në integrimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian.
Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm pasi vjen në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i prezantuar nga Komisioni Europian në vitin 2024, i cili parashikon mbi 30 miliardë euro investime në infrastrukturë, energji të rinovueshme dhe digjitalizim deri në fund të dekadës.