Një i mitur është therur me thikë dje në një shkollë të Tiranës.
Bëhet e ditur se 15-vjeçari është sulmuar me mjet të mprehtë nga një bashkëmoshatar i tij, pas një konflikti paraprak që kishin pasur.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Shqipërisë, të cilët njoftuan se viktima ka pranuar tretman mjekësor.
“Ditën e djeshme, në ambientet e një shkolle private në rrugën “Filip Shiroka”, 15-vjeçari, për motive të dobëta, është konfliktuar me një bashkëmoshatarin e tij, dhe gjatë konfliktit dyshohet se e ka goditur atë me mjet prerës. I dëmtuari pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, është paraqitur për ankim në komisariat, së bashku me prindërit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia po ashtu ka njoftuar se i dyshuari po akuzohet për veprën “Plagosja e lehtë me dashje”.