Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj Ilir Abdullahut, i cili akuzohet se në bashkërkyerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, kanë vrarë ish-policin Triumf Riza.
Ilir Abdullahu në shqyrtimin fillestar më 18 shtator 2024 ishte deklaruar i pafajshëm, duke thënë se nuk e pranon një aktakuzë të ngritur me thashetheme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, i akuzuari Abdullahu përmes mbrojtësit të tij, avokatit Ramë Dreshaj kanë paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave. Por, Themelorja ka marrë vendim, me të cilin ka konfirmuar aktakuzën.
Pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit Abdullahu:
Në pretendimet e kërkesës së mbrojtjes, thuhet se aktakuza nuk është mbështetur në prova të cilat do të argumentonin besueshmërinë e aktakuzës dhe se nuk ka prova që do të argumentonin dyshimin e bazuar mirë se Abdullahu ka kryer vrasjen siç pretendohet.
Gjithashtu, mbrojtja ka pretenduar se provat që sipas tyre janë nxjerrë me dhunë dhe presion në procedurë parapenale nga një hetues policor, vërtetojnë pikërisht të kundërtën për çka flet aktakuza.
Sipas mbrojtjes, në dispozitivin e aktakuzës nuk dihet se a është fjala për hakmarrje apo për ndonjë motiv tjetër.
Gjithnjë sipas mbrojtjes, Abdullahu pretendohet të ketë kryer vrasjen ndaj Triumf Rizës në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Rrahim Abdullahun, por se nuk dihet se të gjithë bashkërisht apo ndonjëri prej tyre ka pasur motiv të hakmarrjes ndaj Triumf Rizës dhe se në kontest të hakmarrjes apo motiveve tjera, nuk përmendet i dënuari Enver Sekiraqa.
Po ashtu, mbrojtja ka pretenduar se në aktakuzë është e gabuar edhe ora ku pretendohet se Abdullahu ka pranuar mesazhin “parking te Grandi komshia e kish dramën” (duke aluduar për Triumf Rizën), pasi që në aktakuzë ndaj Sekiraqës mesazhi thuhet të jetë i dërguar në ora 14:06 minuta, ndërsa në atë ndaj Abdullahut në 13:02 minuta.
Provat e siguruara në procedurën hetimore gjatë vitit 2007, sipas mbrojtjes, duhet të veçohen nga shkresat e lëndës, pasi që sipas tyre janë qartazi të pambështetshme dhe nuk janë në harmoni me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale.
Po ashtu, mbrojtja ka kërkuar që nga shkresat e lëndës të veçohen deklaratat e dëshmitarëve: Besnik Hasani, Shpend Qerimi, Abedin Canolli, Besarta Mexhuani, Kaltrina Berisha, Faton Shoshi, Mona, Zanfina dhe Ema Ismajli, deklarata e të dëmtuarvae: Adelina Ismjali dhe Emine Zeqiri.
Gjithë kjo, pasi që sipas mbrojtjes dhënia e deklaratave në procedurë parapenale hetimore ka qenë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, me arsyetimin se të njëjtat janë marrë nën presion, mashtrim dhe kërcënim nga ana e hetuesve asokohe.