Janë 359 ankesa që lidhen me mbrojtjen shëndetësore të dorëzuara në institucionin e Avokatit të Popullit prej vitit të kaluar e deri tani. Kjo bë e ditur nga kreu u këtij institucioni, Naim Qelaj, i cili tha se ankesat kanë treguar për mungesë të furnizimeve me barna esenciale dhe pritje të gjata të pacientëve.
Për mangësitë në sistemin shëndetësor është diskutuar në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë dhe Shoqata Action For Health, temën “Shëndet për të gjithë”’- Qasja në shërbimet shëndetësore për të gjithë pa diskriminim e në veçanti për grupet e ndjeshme të popullsisë.
Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të tha se kjo temë përkon angazhim institucional nga të gjithë akterët e vendit pa dallim.
“Ngjarja dhe tema përkon angazhim institucional, të gjithë akterëve në nivel vendi, duke përfshirë nivelin qendror, lokal e organizatat joqeveritare që punojnë në këtë fushë…Gëzimi i standardit më të lartë të mundshëm të shëndetit është një nga të drejtat themelore të njeriut pa dallim, duke nënkuptuar kështu parimin e mos diskriminimit si një nga parimet themelore lidhur me të drejtën për shëndet, që është e drejtë gjithëpërfshirëse. E drejta për shëndet është e mbrojtur ligjërisht nga shumë akte të ndryshme ndërkombëtare dhe ato që kanë të bëjnë në aspektin kushtetues të legjislacioneve të ndryshme nacionale të shteteve, duke përfshirë edhe aspektin rregullativ të akteve të ndryshme nënligjore. Pavarësisht nga mundësitë e tyre, ekonomike dhe financiare, shtetet janë të detyruara të ofrojnë kujdes shëndetësor themelor për qytetarët e saj si parakusht për arritjen e një jete cilësore dhe dinjitoz”, tha Hajredini.
Nezaqete Rukovci nga organizata Action for Health (AFH), tha se forcimi i sistemit shëndetësor është një prej temave që duhet vendosur lartë në agjendën politike.
“Qëllimi i kësaj konference është që të bashkohemi për tu siguruar që shëndeti të bëhet realitet për të gjithë kudo dhe kurdo. Me gjithë arritjet e deritanishme në shëndetësi, hendekun mes njerëzve që kanë nevojë për kujdes dhe atyre që kanë akses në shërbime shëndetësore është ende i madh. E drejta për shëndet është e drejtë themelore. Në promovimin e shëndetit është e nevojshme pjesëmarrja aktive e të gjithë sektorëve të rëndësishëm shoqëror…Forcimi i sistemit shëndetësor, parandalimi, gatishmëria dhe reagimi ndaj pandemive, janë disa nga temat që duhet vendosur lartë në agjendën politike, kjo vëmendje nevojitet urgjentisht, sepse shumica e objektivave të lidhura me shëndetin janë ende jashtë rrugës, dhe pabarazitë janë zgjeruar pas pandemisë. Kjo periudhë e krizave ofron një mundësi për të punuar së bashku dhe për të përdorur mësimet e nxjerra nga pandemia”, tha Rukovci
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gëxha-Bunjaku, tha se synim i vazhdueshëm i MSH-së, mbetet përmirësimi i qasjes dhe përballueshmerisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësorë për të gjithë qytetarët.
“Qasja në shërbimet shëndetësore për të gjithë pa diskriminim e në veçanti për grupet e ndjeshme të shoqërisë thekson respektimin e parimeve etike në politik bërjen shëndetësore dhe ofrimin e shërbimeve. Mbulimi shëndetësor universal do të thotë që të gjithë njerëzit të kenë qasje në shërbimet shëndetësore dhe ato cilësore të cilat u nevojiten pa vështirësitë financiare, duke përfshirë promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve. Në Kosovë synim i vazhdueshëm i MSH-së, mbetet përmirësimi i qasjes dhe përballueshmerisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësorë për të gjithë popullatën. Synim po aq i rëndësishëm bazuar në strukturën demografike të popullatës në radhë të parë është ruajtja dhe përparimi i shëndetit duke promovuar jetesën e shëndetshme. Si vend në zhvillim Republika e Kosovës ka prioritete të shumta të cilat kanë nevojë për financa nga buxheti i shtetit”, tha Bunjaku.
Ndërsa Avokati i Popullit bëri të ditura ankesat që janë drejtuar në këtë institucion lidhur me mbrojtjen shëndetësore.
“Nga hetimet që ne kemi kryer në dy vitet e fundit ka treguar se sistemi në përgjithësi ka mangësi. Në vitin e kaluar dhe këtë vit, institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar 359 ankesa që lidhen me mbrojtjen shëndetësore dhe sociale në përgjithësi me pohime dhe pretendime për shkelje të natyrave të ndryshme. Në bazë të gjeturave është konstatuar se ka pas ankesa që ka pas mungesë të furnizimeve me barna esenciale, ka vazhduar të ketë pritje të gjatë të pacienteve për të kryer disa lloj intervenimesh, gjithashtu shqetësuese që ka vazhduar trendi i largimit të profesionisteve shëndetësorë, tha Qelaj.
/TV Arbëria