Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > The Geopost: Serbia në panik nga investimet e Kosovës në mbrojtje dhe armatim

The Geopost: Serbia në panik nga investimet e Kosovës në mbrojtje dhe armatim

Deklaratat dhe raportimet e fundit nga analistë serbë dhe media pro-regjim në Serbi e kanë kthyer në temë kryesore publike blerjen e sistemeve amerikane dhe investimet e Kosovës në mbrojtje dhe armatim, duke i paraqitur këto zhvillime përmes një narrative alarmuese dhe paniku.

Shkaku kryesor i këtyre reagimeve lidhet me marrëveshjen e nënshkruar në muajin dhjetor ndërmjet Kosovës dhe kompanisë amerikane AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm.

Marrëveshja u bë publike më 17 dhjetor nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe u pasua menjëherë nga reagime të ashpra në mediat dhe diskursin publik serb.

Edhe vetë analistë serbë të sigurisë kanë pranuar rëndësinë e kësaj blerjeje.

Eksperti serb i sigurisë Goran Janiqeviq, duke folur në Televizionin Publik të Serbisë (RTS), theksoi se bëhet fjalë për një blerje me peshë të veçantë, duke deklaruar se “kjo është hera e parë që dikush, si subjekt juridik, blen këtë lloj sistemi”.

Megjithatë, Janiqeviq e paraqiti modernizimin e pajisjeve ushtarake të Kosovës si kërcënim për Serbinë.

“Prishtina po blen nga Amerika helikopterë Black Hawk dhe automjete të blinduara Humvee. Sipas paralajmërimeve, nga viti i ardhshëm do të ketë në dispozicion edhe të parat nga 246 raketa amerikane kundërtanke Javelin. Deri në fund të vitit 2026 planifikohet të përfundojë edhe fabrika e municionit në Gjakovë, si dhe objekti prodhues për dronë në Gjilan, dronët e parë të të cilit Albin Kurti i prezantoi muajin e kaluar”.

“…Në katër vitet e fundit, autoritetet e Prishtinës kanë investuar 430 milionë euro në forcimin e njësive të tyre të armatosura. Qëllimi i tyre, siç ka deklaruar Kurti, është që në katër vitet e ardhshme të shpenzojnë dyfish më shumë –1 miliard euro,” tha Janiqeviq.