Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > The Economist për maskat dhe barrikadat në veri: Kosova dhe Serbia në prag të një konflikti të ri

The Economist për maskat dhe barrikadat në veri: Kosova dhe Serbia në prag të një konflikti të ri

Një numër i konsiderueshëm i barrikadave u vendosën më 10 dhjetor në disa pjesë të veriut të Kosovës, ku shumica e banorëve janë serbë. Diplomatë amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian po punojnë vazhdimisht për ta zbutur këtë “situatë shpërthyese”.

Që nga fundi i luftës në Kosovë në vitin 1999, kriza ka pasur vazhdimisht në veri të vendit. Me ndërhyrje të diplomatëve, tensionet janë zbutur e barrikadat janë hequr. Mirëpo, tensionet e fundit duket të jenë më të rrezikshme, shkruan The Economist, përcjell Reporteri.net.

Në nëntor, përfaqësuesit serbë në Kosovë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe pjesëtarë të policisë në veri.

Kosova i ka dërguar policët e vet për t’i zëvendësuar ata, mirëpo Tatjana Lazarevic, redaktore e mediumit KoSSev thotë se policët kosovarë po përballen me “mosbesim të theksuar” nga ana e vendasve, që policët i shohin si “okupues”.

Deri në vitin 1999, Kosova ishte një provincë jugore e shtypur e Serbisë. Gjatë luftimeve, Serbia filloi të dëbonte qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre. Mirëpo NATO ndërhyri dhe krijoi një protektorat të OKB-së, i cili shpalli pavarësinë në 2008.

Por Serbia e refuzon këtë fakt, e që mbështetet edhe nga Rusia, shtet “alergjik” ndaj ndërhyrjeve perëndimore.

Më 15 dhjetor, kryeministri Albin Kurti e dorëzoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Në po të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi kthimin e një mijë trupave serbe në territor të Republikës së Kosovës, një kërkesë që më vonë ia dorëzoi zyrtarisht NATO-s. Kjo iu mundësua përmes rezolutës 12/44 të OKB’së që i dha fund luftës në Kosovë, nocioni i të cilës sot është qesharak.

Derisa kryeministri Kurti i tha Vuçiqit se s’mund të kthehet pas dy dekada në kohë, ky i fundit e quajti atë “llum terrorist”. Ndërsa, emisari Miroslav Lajçak, i cili drejton diplomacinë e BE-së në rajon, ka deklaruar se “tensionet nuk kanë qenë kurrë më të larta në 20 vjet”, dhe se “mosbesimi nuk ka qenë kurrë më i thellë”.

Megjithatë, rreziku që ushtria serbe të futet hapur në veri të Kosovës është i vogël. Por qeveria serbe mund të përpiqet të imitojë strategjinë “little green men“ (burra të vegjël në të gjelbër) që përdori Vladimir Putin kur pushtoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014: futja e ushtarëve të vet në territor të huaj, pa deklaruar se janë të vetët.

Fuqitë perëndimore po përpiqen të negociojnë një fund të krizës përpara se të ndodh ndonjë konfrontim i dhunshëm. Në rast se ndodh ndonjë vrasje, qoftë të ndonjë serbi ose shqiptari, kjo mund të “ndez zjarr”. Diplomatët vlerësojnë se kryeministri Kurti është kokëfortë; Vuçiqi ka humbur shumë pikë duke refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, shkruan tutje The Economist, transmeton Reporteri.net.

Kurti thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë në gjetjen e një zgjidhjeje dhe për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Mirëpo, ende është e paçartë nëse ai apo presidenti Vuçiq do ta pranojnë propozimin e diplomatëve perëndimorë.

Perëndimi kërkon që Serbia ta trajtojë Kosovën si shtet, pa e njohur edhe zyrtarisht. Ndërsa Kosova duhet ta implementojë një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2013 (që ishte refuzuar nga Kurti sa ishte në opozitë) për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Problemi, thotë një diplomat, është se raportet aktualisht janë aq të këqija, saqë lideri i Kosovës dhe ai i Serbisë “po jetojnë në dy planete të ndryshme”. Ndërkohë “në planetin Rudarë”, banorët nuk janë të kënaqur me këto qëndrime.

“Ne jemi pengje të Beogradit dhe të Prishtinës”, tha një mësues që po mbikëqyr një nga barrikadat, me urdhër të drejtorit të shkollës.

Powered by WordPress