Xhiroja e 24-të sjell derbin ndërmjet Ballkanit dhe Dritës, ndërsa për këtë ndeshje foli edhe vet kryetrajneri i Dritës, Arsim Thaqi dhe futbollisti, Benjamin Agyare.
Trajneri Thaqi fillimisht e vlerësoi lartë ndeshjen e kësaj jave, duke thënë se po takohen dy skuadrat më cilësore që jo rastësisht janë në kreun e tabelës.
Drita ka bërë përgatitjet e kërkuara, ndërsa sipas trajnerit, Arsim Thaqi kërkohet durim dhe maturi.
“Ndeshjet kur ekipet janë cilësore, të nivelizuara ndeshjen e vendosin detajet. Ne kemi marrë masat me ekipin kemi punu në atë drejtim, që mos t’ia lëmë rastit dhe eventualisht t’I shfrytëzojmë rastet e mira që na krijohen dhe ta arrijmë fitore që do të na kthente në pozitën e parë. Nuk është ndeshje e lehtë, sepse edhe Ballkani ka bërë ndeshje të mira, kemi përafërsisht cilësitë e barabarta dhe duhet të kemi edhe durimin e duhur që të vendosim ndeshjen nga një moment i caktuar”, theksoi Thaqi.
Kurse, futbollisti Benjamin Agyare tha se atmosfera në grup është e mirë dhe beson në shpirtin e skuadrës.
“Unë mendoj se nesër nuk është ndeshje e lehtë, një ndeshje derbi por nëse na shihni si ushtrojmë e kuptoni se cdo gjë po shkon si duhet. Nesër do të jetë ndeshje e madhe dhe për këtë unë besoj te bashkëlojtarët, besoj të trajneri dhe shpresoj të fitojmë. Une pash sot në stërvitje secili ishte i lumtur, unë shoh shpirt te secili për këtë shpresoj që do të fitojmë nesër”, theksoi Agyare.
Sa i përket formës së lojtarëve dhe ekipit në përgjithësi, sulmuesi Marko Simonovski nuk është i gatshëm për këtë ndeshje.
“Në qoftë se te skuadrat tjera është një futbollist që shënon, DRITA ka lojtarë në fazën e sulmit që shënojnë qoftë Selmani, Baftiu, Ajzeraj, Kryeziu apo Arditi. Janë një grup i lojtarëve me cilësi ofanzive, kanë cilësi individuale të jashtëzakonshme mirëpo lojtari që krijon hapësirë dhe që janë mësu me lujt me të është Simonovski dhe mungesa e tij po shkakton konfuzion. Do ta kemi durimin deri në rikuperim dhe momentin që kthehet do ta kemi më të qartë repartin e sulmit”, potencoi Thaqi.
Trajneri i Dritës foli pak edhe për ndeshjen e derbit lokal që vjen xhiros tjetër, për çka tha se jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme.
“Lojtarët e Dritës janë mësuar me ndeshje derbi qoftë për t’u bërë kampion, dal në Evropë apo edhe derbi lokalë. Kanë eksperiencën e duhur, cilësinë e mjaftueshme dhe dinë t’i menaxhojnë qoftë emocionet qoftë pjesën profesionale. Ne jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme, pastaj sigurisht edhe te derbi”, përfundoi Thaqi.
/TV Arbëria