Kapiteni i Ballkanit, Armend Thaçi, është i bindur se pas dy javësh përgatitje në Turqi, skuadra është rikthyer me motivimin e duhur dhe e gatshme për të nisur punën në arritjen e objektivave që i ka vendosur në fillim të sezonit futbollistik.
Ai ka thënë se skuada është ngritur në një nivel shumë të lartë dhe se lojtarët duhen të jenë të vetëdijshëm për pritshmëritë që janë ndaj kampionëve aktual të Kosovës.
Thaçi: Duam ta mbrojmë titullin
“Mendoj që ekipe është i përgatitur në maksimum për ta filluar në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe garat në kampionat, edhe në kupë. Duhet ta pranojmë realitetin sepse e kemi ngritur ekipin e Ballkanit në një nivel që domosdo kërkohet fitorja në çdo ndeshje dhe normal që kërkohet prej nesh angazhim maksimal që të fillojmë dhe ta mbrojmë titullin kampion që e kemi fituar vitin e kaluar.”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka pranuar se Drita do të jetë rivali i tyre kryesor për titull, por nuk e ka përjashtuar edhe Prishtinën dhe Gjilanin.
Thaçi: Drita është rivali ynë kryesor, por mund të ketë edhe befasi
“Ne edhe Drita jemi shkëputur pak me pikë mirëpo ka shumë ndeshje sidomos ky fillimi i garave, këto katër apo pesër ndeshjet e para do të tregojnë a do të jemi ne apo Drita, apo do të mund të kyçen Gjilani e Prishtina në garën për titull për shkak se po qe se arrijmë të shkëputemi këto katër apo pesë xhirot e para, ne dhe Drita mendoj që deri në fund vetëm ne të dy, mirëpo gjithçka varet nga fillimi sepse e dimë që çdo fillim është i vështirë edhe ekipet deri sa ta kapin formën e vet në kampionat kërkon kohë mirëpo sidomos neve nuk na lejohet asnjë gabim për shkak se jemi kampion dhe dëshirojmë ta mbrojmë, dëshirojmë ta fitojmë përsëri titullin kampion dhe t’i rikthejmë ato netët evropiane që i kemi pasur në ‘Fadil Vokrri’.”, ka shtuar Thaçi.
Tutje, kapiteni i kampionëve të Kosovës, ka folur edhe për largimin e Ermal Krasniqit, për të cilin ka thënë se ka lënë zbrazëtirë të madhe në klub për shkak të cilësive që kishte.
Krasniqi është transferuar te skuadra rumune CFR Cluj, ndërsa ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm në sukseset e Ballkanit, sidomos në aventurën evropiane.
Thaçi: Ermali na ka lënë keq
“Të gjithë i dimë vlerat e Ermalit për shkak se ka qenë ndoshta futbollisti kryesor i yni për shkak se po qe se ekipa nuk ka arritur të zhbllokohet në disa ndeshje, ka qenë Ermali që na ka zhbllokuar edhe na e ka dhënë epërsinë. I dimë cilësitë, e dimë impaktin që e ka pasur mirëpo secili e ka atë karrierën e vetë, secili dëshiron të arrijë diçka më shumë dhe normal që në aspektin sportiv na ka lënë shumë keq për shkak se është një mungesë që vështirë zëvendësohet, mirëpo në aspektin e tij individual, në aspektin e tij sportiv normal që është një hap shumë i madh dhe shumë i mirë për të.”, ka theksuar Thaçi.
Thaçi ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të mos e vajtojnë ikjen e Krasniqit, duke kërkuar maksimumin nga të gjithë për ta ndihmuar ekipin në luftën për titull.
Thaçi: Do të përpiqemi të mos vihet re mungesa e Ermalit
“Jemi të bindur që ky kalimi i tij në Cluj do të jetë vetëm një kalim i shkurtër me atë se çfarë ka mundësi të arrijë Ermali edhe ku do të luajë Ermali për shkak se është futbollisti prej më të mirëve në këto dhjetë vitet e fundit në Superligë tonë… mirëpo asesi tash nuk duhet ta çajmë kokën se ka shkuar Ermali dhe ne e humbëm titullin. Secili futbollist këtu që është, është me kërkesë të trajnerit dhe për diçka. Normal që secili do të mundohet ta zëvendësojë gjithsecilin që mungon në mënyrën e vetë të mundshme edhe në do të mundohemi të gjithë pak më shumë që mos të vërehet mungesa e Ermalit.”, ka thënë në fund Thaçi.
Ballkani dhe Drita ndajnë kreun e renditjes tabelare në Superligën e Kosovës me nga 35 pikë, derisa edicioni pranveror i elitës së futbollit kosovar rinisë javën e ardhshme.
/TV Arbëria