Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Teknologji > Tesla e paditi Teslën

Tesla e paditi Teslën

Kompania amerikane pretendon se firma indiane ka vazhduar të përdorë emrin “Tesla” në reklamat për produktet e saj të baterive, pavarësisht se prodhuesi i makinave i ka paralajmëruar me shkrim që të mos e bëjnë këtë.

Në vitin 2003, Martin Eberhard dhe Mark Tarpenning vendosën ta emërtonin kompaninë e tyre të makinave elektrike “Tesla”.

Dy dekada më vonë, ne jemi dëshmitarë të një çështjeje interesante gjyqësore. Gjegjësisht, tani Tesla, prodhuesi i veturave, ka ngritur një padi për të parandaluar një kompani indiane të baterive të përdorë të njëjtin emër.

Tesla Inc, prodhuesi amerikan i automobilave, këtë javë kërkoi dëmshpërblim dhe një urdhër kundër Tesla Power India, një prodhues lokal i baterive, në një gjykatë në New Delhi, Indi.

Ekipi ligjor i kompanisë amerikane i tha një gjyqtari se firma indiane vazhdoi të përdorte emrin “Tesla” në reklamat për produktet e saj të baterive, pavarësisht se prodhuesi i automjeteve i paralajmëroi me shkrim se ishte i paligjshëm që në prill 2022, raporton reuters.

Avokatët e Tesla Power i thanë gjykatës se kompania prodhoi bateri të thjeshta me acid plumbi – një teknologji e “epokës së gurit” në krahasim me atë që përdoret në automjetet e Tesla dhe produktet e ruajtjes së energjisë – dhe nuk kishte plane për të ndërtuar vetura elektrike.

Nga ana tjetër, në faqen e internetit të kompanisë thuhet se një kompani e quajtur “Tesla Power USA” e ka selinë në Delaware, i njëjti shtet ku ndodhet Tesla Inc.

Gjykatësi i dha kompanisë indiane tre javë për të paraqitur përgjigje me shkrim në mbrojtje të saj pasi ajo dorëzoi dokumente të ndryshme që mbështesin të drejtën e saj për të përdorur emrin aktual.

Ai gjithashtu ndaloi Tesla Power nga publikimi i çdo materiali promovues që përmban një markë tregtare si ajo në pronësi të Tesla Inc deri në seancën e ardhshme dëgjimore më 22 maj, sipas Bloomberg.

Çështja gjyqësore po zhvillohet në Indi menjëherë pasi CEO i Tesla, Elon Musk, anuloi papritur një takim me kryeministrin e vendit, Narendra Modi, duke e bërë emrin e kompanisë së veturave elektrike në titujt kryesorë.

Modi dhe Musk duhej të takoheshin gjatë udhëtimit të planifikuar të Musk në Indi më 21 prill për të diskutuar projektet në vend, por shefi i Tesla-s e anuloi udhëtimin, duke zgjedhur në vend të kësaj të shkonte në Kinë për bisedime me kryeministrin kinez Li Kuang.

Kjo bisedë doli e vlefshme, pasi Tesla fitoi të drejtën për të ofruar teknologjinë e saj autonome plotësisht vetë-drejtuese për blerësit e Tesla EV në Kinë.

Themes by WordPress