Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​Tërnava apelon për ndalimin e vrasjeve dhe përkujdesje ndaj prindërve

​Tërnava apelon për ndalimin e vrasjeve dhe përkujdesje ndaj prindërve

Pas përfundimit të muajit Ramazan, sot edhe në Kosovë po kremtohet dita e parë e festës së Fitër Bajramit. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, iu drejtua besimtarëve myslimanë duke kërkuar kujdesje ndaj familjes, sidomos ndaj prindërve, por gjithashtu apelojë për ndalimin e vrasjeve të çdo njeriu, pamarrë parasysh rrethanat.

Manifestimi qendror i festës së Fitër Bajramit, është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, i cili nisi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte ligjërata tematike kushtuar kësaj feste. Kurse pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, myftiu Tërnava tha se kjo festë ka një peshë të thellë fetare, sociale, pasi është një shpërblim prej Zotit, andaj me të drejt ky moment konsiderohet moment reflektimi, falënderimi dhe lutjeje, duke rikujtuar rëndësinë e devotshmërisë, mirënjohjes ,solidaritetit dhe bashkimit familjar.

Ai tha se familja është bërthama që ndërtohet jeta jonë, derisa shtoi se fëmijët janë dhuratë nga Zoti dhe është i obligim i ynë për përkujdesje, siç duhet të jetë edhe ndaj prindërve.

“Lënia e prindërve pa përkujdesje nga ana e fëmijëve të tyre sipas fesë sonë është një gjynah i madh, ngase pas adhurimit që duhet për Zotin, jemi të urdhëruar për përkujdesje ndaj prindërve me dashuri dhe respekt. Përkujdesja ndaj prindërve është një rrugë e drejt e cila na ofron drejt mëshirës së Zotit…është obligim që të sillemi mirë ndaj prindërve, nënës dhe babait, ngase në islam nuk ka koncept prindi 1 dhe prindi 2 të të njëjtës gjini, as nënë të marrë me qira. Pra islami është kundër modelit të familjes që devijojnë nga strukturat tradicionale dhe parimet islame të burrit dhe gruas… Sot pothuajse për çdo ditë kemi shumë prindër të braktisur, të lënë e të harruar nga fëmijët dhe të afërmit e tyre. Ata kanë mbetur pa përkujdesje gjë e cila po e rëndon jetën e tyre deri në ekstrem. Pse po ndodh kjo, këtë pyetje duhet bërë vetës dhe shoqërisë sonë, këtu në Kosovë dhe kudo që jetojnë vëllezërit dhe motrat tona. Nuk konsiderohet dhunë vetëm dhuna fizike ndaj prindërve, mospërkujdesja është dhunë ndaj tyre“, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet ta rikthejmë paqen në familje por edhe në vetën tonë.

“Askush nuk ka të drejtë ta braktis familjen dhe të shkëput marrëdhëniet më familjen dhe farefisin. Nëse familja është e shëndoshë, e gjithë shoqëria është e shëndosh, ngase familja është një shtyllë dhe bazë e strukturës sociale për shkak të lidhjeve të saj shpirtërore, fetare, psikologjike e materiale“, ka thënë ai.

Tërnava ka shprehur shqetësimin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe tërë shoqërisë tonë lidhur me vrasjet që kanë ndodhur në vendin tonë, sidomos në dy javët e fundit, ku humbën jetën katër qytetarë.

“Pavarësisht motiveve dhe rrethanave, në islam vrasja është akt i ndaluar, i shëmtuar dhe është një nga gjynahet më të mëdha. Feja islame i jep shumë rëndësi jetës së njeriut dhe mbrojtjes së saj. Kurani e potencon qartë ndalimin e vrajës së tjetrit pasi aty thuhet kush vret një njeri pa të drejt është sikurse të ketë vrarë gjithë njëzimin dhe kush shpëton jetë është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin, andaj edhe një herë apelojmë për respektimin e jetës së çdo individi dhe për ndalimin e dhunës ndaj të pafajshmëve. Të gjithë duhet të jemi unik paqen, tolerancën dhe mirëkuptimin. Ngatërresat duhet t’i trajtojmë me qetësi, ndërsa zgjidhjen e tyre duhet ta kërkojmë në rrugë institucionale e jo me vetëgjyqësi”, tha ai.

Përndryshe, kryesia e BIK-ut organizon pritjen tradicionale në selinë e kryesisë nga ora 9:00 deri në 12:00.

Fitër Bajrami është një ditë e festimit, e gëzimit e paqes dhe mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njëri-tjetrin./kp