Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar se ka filluar zyrtarisht sezonin e ngrohjes për vitin 2025/2026, tetë ditë përpara afatit të zakonshëm. Ky vendim është marrë si reagim ndaj uljes së ndjeshme të temperaturave dhe përkeqësimit të kushteve të motit në ditët e fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, ky është rasti i parë në historinë e “Termokos”-it që furnizimi me energji termike nis para datës së zakonshme të fillimit të sezonit të ngrohjes. Vendimi është marrë në koordinim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe në përputhje të plotë me rregulloret dhe udhëzimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
“Termokos” siguroi qytetarët se sistemet e shpërndarjes janë të gatshme për funksionim të vazhdueshëm dhe se prioritet mbetet ofrimi i shërbimeve cilësore dhe të pandërprera për të gjithë konsumatorët.