Ish-deputetja dhe veprimtarja politike, Melihate Tërmkolli, ka deklaruar se është kërcënuar me fjalët “te prehet koka” nga një person të cilin ajo e cilëson si “islamik radikal”.
Përmes një postimi në Facebook, Tërmkolli ka thënë se kërcënimi i është bërë një ditë më parë, duke shprehur shpresën që organet shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme.
“‘Te prehet koka’, më tha dje njëfarë Alberti, një zuzar islamik radikal! Me gojën e Naim Tërnavave, Milazim Krasniqave, etj., etj.! Nuk është hera e parë, por u bë në një ditë të veçantë për Kosovën!”, ka shkruar Tërmkolli.
Ajo ka kërkuar reagim nga institucionet e shtetit, duke theksuar se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik.
“Shpresoj të veprojnë organet shtetërore, të këtij shteti e kombi për të cilin kemi lanë e kemi dhanë jetë! Nëse ende punojnë me ligje të Kosovës, shtet i pavarur e demokratik dhe jo shtet islamik!”, ka deklaruar ajo.
Postimin e saj, Tërmkolli e ka përmbyllur me shprehjen: “Rrnoftë Dardania jonë!”.