Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Tërë Struktura e UÇK-së doli nga Universiteti i Prishtinës

Tërë Struktura e UÇK-së doli nga Universiteti i Prishtinës

Shkruan: Agron Hoti – Nga Universiteti i Prishtinës dolën strukturat e secilës parti politike. Doli tërë elita intelektuale e Kosovës. Struktura Drejtuese e UÇK-së doli po ashtu nga Universiteti i Prishtinës. Edhe partia që është sot në pushtet doli po nga ky Universitet. Hapja e këtij universiteti, përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar ndodhi vetëm pas demonstratave të përgjakshme të shqiptarëve në 1968.

Këto demonstrata u bënë kundër pushtuesit serb, aparatit të tij të dhunës si dhe kundër një armate të tërë shqiptarësh në dukje që ishin rreshtuar hapur pro pushtuesit serb dhe kundër çfarëdo shpirti patriotik shqiptar. Është vazhdimësia e po asaj armate që s’ndal së poshtëruari UÇK-në dhe Strukturën Drejtuese të saj.

Ishin po ato demonstrata të përgjakshme të 68-tës që e detyruan pushtuesin serb të hapte Universitetin, ta përmirësonte sadopak pozitën e shqiptarëve, të fillonte sadopak ndërtimin e qyteteve që deri në vite të 70-ta ishin fshatra në kuptimin e plotë të fjalës. Pushtuesi serb e dinte që sa më e madhe të ishte dhuna kundër shqiptarëve, aq më e madhe do të ishte rezistenca e tyre. Sa më e madhe rezistenca gjasat e çlirimit do të ishin më të mëdha, saktësisht siç ndodhi në 1999. Prandaj, pushtuesi serb bënte lëshime sikurse në vite të 70-ta vetëm sa për ta neutralizuar shpirtin patriotik shqiptar që mos të arrinte t’ia kthente pushkën.

Me fjalë tjera, Kosova, si qytetet ashtu edhe fshatrat deri në fillimvite të 70-ta, ishte një fshat mjerimi e terrori, ku numri i vdekjes së foshnjeve ishte ndër më të lartit në Evropë. Pas viteve të 70-ta pushtuesi serb për të krijuar një përshtypje zhvillimi, ndërtoi ca qytetet, ndërsa fshatrat i la të shkreta. Nga 1970-1999 dallimi në standard jetësor fshat-qytet ishte i madh ashtu siç ishte i madh edhe niveli i pabarazisë ekonomike. Ishte mu ky zhvillim nëpër qytete që i ekspozonte qytetarët e fshatrave si “fshatarë” e “katundarë”.

Kishte edhe një arsye se pse pushtuesi serb po ndërtonte qytetet në kurriz të fshatrave, e kjo ishte se popullsia serbe po jetonte kryesisht në qytete. Jo rastësisht shqiptarët që kanë jetuar në qytete e mësonin shumica serbishten dhe turqishten, e kjo ndodhte sepse kishin kontakt të rregullt me serbë e turq në jetën e përditshme. Ndërsa qytetarët e fshatrave meqë s’bashkëjetonin me serbë e turq s’e dinin as serbishten e as turqishten dhe kur nuk i dije këto dy gjuhë ngeleshe margjinal dhe konsideroheshe “fshatar” apo “katundar”.

Pas viteve të 70-ta pati filluar të krijohej një elitë komuniste që rehatonte fëmijët e njëri tjetrit gjersa fshatarët rrinin me gishta në gojë. Kishte shumë rëndësi para lufte se prej nga vije kur hyje në provime. Historikisht luftërat dhe revolucionet kanë nisur nëpër fshatra, sepse aty vuante më së shumti popullsia. Prandaj, edhe UÇK s’mund të përbënte përjashtim nga bota, ndaj edhe lindi pikërisht nga ata që vinin nga fshatrat, të cilat i kishte harruar edhe historia.

Por, UÇK lindi midis Universitetit të Prishtinës, sepse burgjet dhe Universiteti ishin dy mundësitë ku mund të ndërtohej lëvizja çlirimtare, sepse gjendja e vështirë socioekonomike s’jepte kurrfarë mundësie mobiliteti qytetar, kjo sepse një i ri fshati s’e shihte me vite qytetin. Prandaj, të vetmet ishin burgjet dhe Universiteti ku rinia dhe patriotët mund të njiheshin e të lidheshin mes vete, ndërkohë që në fshatra ishin odat vendet ku ndërtohej rezistenca kundër pushtuesit serbë.

E luftën çlirimtare e drejtoi mu Struktura Drejtuese e UÇK-së, e cila ia doli ta bënte për vete tërë botën demokratike. Pas çlirimit të Kosovës, Struktura Drejtuese e UÇK-së bëri shtetin dhe shkeli nëpër kancelari perëndimore më shumë se çdokush deri me sot. Nga viti 1999 deri në vitin 2019 standardi jetësor fshat-qytet u zhduk pothuajse tërësisht dhe kjo përbën mrekulli, sepse asnjë shtet në glob s’ka arritur ta zhdukë dallimin fshat-qytet për vetëm 20 vite çlirim e 11 vite shtetësi e aq më tepër kur fshatrat edhe ashtu të varfëra që ishin deri në 1998 u dogjën e shkrumbuan deri në 1999.

E tash, ka një kastë puthadoras të Serbisë që gjatë kohë së pushtimit serb ka qenë njëfar elite që ka jetuar bindshëm më mirë se fshatrat, kastë kjo që e ka pasur më të afërt Beogradin se cilindo fshat të Kosovës, e tash kur fshatrave po iu vjen era zotnillëk, ai apo ajo nuk mund të pajtohet, bile po tmerrohet. Prandaj, vazhdojnë reagimet anti-UÇK dhe anti-Krerëve të saj. Po të kishin qenë të prapambetur njerëzit e UÇK-së, atëherë Serbia e Rusia s’do të sillnin tankse e topa kundër tyre gjatë luftës 1998-1999 dhe s’do të bënin çmos pas lufte për ta goditur lavdinë e UÇK-së dhe Strukturës Drejtuese të saj. Fundja pse Serbia e Rusia s’bënë Gjykatë Speciale kundër komunistëve shqiptarë që e ‘zhivatën’ Jugosllavinë, por bënë një të tillë vetëm kundër UÇK-së dhe Strukturës së saj. Mjerisht ishin pikërisht komunistët shqiptarë ata që i ndihmuan më së shumti Serbisë e Rusisë ta themelonin Gjykatën Speciale kundër UÇK-së. Nuk thonë rastësisht ujku qimen e ndërron por zanatin s’e harron.

/TV Arbëria

 

 

Themes by WordPress