Policia sot ka informuar se dy persona janë arrestuar në Prishtinë, pasi kanë tentuar të fusnin në qarkullim 53 mijë e 100 euro si dhe 10 mijë dollarë amerikan.
“Arrestimi ka ardhur pas një pune operativ dhe hetimore, pasi policia kishte rënë në gjurmë të të dyshuarve dhe më pas dje ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të dy të dyshuarve: B.S., (viti i lindjes 1986, mashkull kosovar) dhe M.I., (viti i lindjes 1986, mashkull Shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut). Të dyshuarit ishin duke tentuar t’i vejnë në qarkullim një shumë të parave të falsifikuara me vlerë të përgjithshme prej 53100 (pesëdhjetë e tremijë e njëqind euro) si dhe 10000 (dhjetë mijë dollarë amerikan).”, ka informuar Policia.
Gjatë operacionit, është kryer edhe kontrollimi i shtëpisë së dyshuarit, shtetas kosovar, me ç’rast, sipas Policisë, si prova materiale që do të përdoren në procedurë të mëtejme, përveç parave, janë sekuestruar edhe dy vetura dhe tre telefona.
“Të gjitha veprimet janë kryer me autorizimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizaj me vendimin e të cilit të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.”, ka bërë të ditur tutje Policia. /TV Arbëria