Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në orët e para të mëngjesit të së premtes në Prizren. Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, rreth orës 00:20, policia ka intervenuar në një rast ku një burrë dyshohet se ka plagosur rëndë me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren. Me të arritur në vendin e ngjarjes, policia ka hasur gruan e të dyshuarit në rrugë, me lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje. Në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe vajza e mitur, e cila po ashtu ishte e plagosur rëndë me mjet të mprehtë.
Të dy viktimave u është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Mjekët kanë konfirmuar se gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë.
Policia ka arrestuar në vendin e ngjarjes të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme. Prokurori kujdestar ka lëshuar urdhër për ndalimin e tij për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje e paautorizuar e armëve”.
Prokuroria ka bërë të ditur se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. Në afatin ligjor, pritet që të parashtrohet kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit.