Pas rikthimit të Presidentit të sapo zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, ai ka pohuar se nuk e përjashton përdorimin e forcës me qëllim që ta integrojë ishullin e Grendlandës si pjesë të SHBA-ve.
Ndërkohë vende të BE-së kanë reaguar ashpër ndaj këtij paralajmërimi.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, ka thënë “Nuk bëhet fjalë që BE-ja të lejojë që shtete të tjera në botë, kushdo që të jenë ata, të sulmojnë kufijtë e saj sovranë.”. Kurse, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, ka deklaruar se në rast të një skenari të tillë, atëherë do të aktivizohej, paragrafi 7 i nenit 42 të Traktatit të Bashkimit Evropian. Sipas këtij neni “ Nëse një Shtet Anëtar është viktimë e një agresioni të armatosur në territorin e tij, Shtetet e tjera Anëtare kanë për detyrim ta ndihmojnë dhe mbështetin me të gjitha mjetet që kanë në dorë, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.
Një qëndrim të tillë e ka mbrojtur edhe Gjermania.
Por çfarë qëndrimi duhet të mbajë Kosova në këtë situatë?
Lidhur me këtë TV Arbëria ka kontaktuar me deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin. Sipas tij nuk beson se ka ndonjë përplasje mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Për Kosovën duhet të jenë të qarta ligjet ndërkombëtare dhe këto duhet të respektohen, por nuk besoj që mund të ketë përplasje mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse janë vende strategjikisht të bashkuara për shumë çështje edhe për këtë çështjen e Grenlandës nëse ka përplasje, do t’i quaja politike zgjidhja duhet të bëhet në tavolinë, për t’i shqyrtu interesat e përbashkët që mund t’i kenë në Grenland”, ka thënë Haliti.
Haliti potencon se Kosova nuk e ka asnjë obligim të shprehet për këtë çështje, sipas tij duhet të jetë neutrale.
Tutje deputeti I PDK-së thotë se, “Kosova është mirë me i kqyr hallet e veta”.
“Problemi nuk është i thjeshtë që Kosova duhet të shprehet sepse asnjë obligim se ka Kosova për tu shpreh për këtë çështje, e para, e dyta Kosova nuk duhet të jetë palë në këto bisedime, dhe interest e Kosovës nuk janë në pyetje por normalisht që besoj dhe mendoj që Kosova duhet të jetë neutral mes tensioneve politike mes SHBA-së dhe BE-së, për vet faktin që përplasjet politike për çështje ekonomike mund të jenë evidente, por përplasjet sa u përket përplasjeve ushtarake që po thonë, përplasje të cilat qojnë në konflikt në mes SHBA-së dhe vendeve të BE-së, unë besoj që nuk do të ndodhin kurrë dhe s’kanë asnjë arsye për të ndodh, SHBA të janë aleate, janë shteti që e ka garantu dhe e garanton paqen në Evropë dhe sigurinë e evropës bashkë me forcat e BE-së, edhe pse Bashkimi Evropian pothuajse të gjitha vendet janë anëtare të NATO-së thujse nuk shoh ndonjë mundësi të përplasjes siç po thuhet përdorimit të forcës, por edhe para dy ditësh ose dje pati një deklarim të sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili kategorikisht është kundër përdorimit të forcës nga SHBA-ja në lidhje me Grenlandën, prandaj unë mendoj që Kosova është mirë me i kqyr hallet e veta, këto janë çështje që diskutohen për shkak të pasurive të mëdha që mendohet që janë në tokën dhe territorin e Grenlandës prandaj edhe mund të ketë ndonjë presion do të thoja për të qenë pjesë e shfrytëzimit të pasurive nëntoksore dhe ujore që janë në Grendland”, ka thënë Haliti për TV Arbëria.