Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Tensione të mëdha në Beograd e Novi Sad, ndërhyn policia

Tensione të mëdha në Beograd e Novi Sad, ndërhyn policia

Policia e Serbisë ka ndërhyrë gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut në disa lokacione në Beograd dhe Novi Sad, ku qytetarë dhe studentë ishin mbledhur për të bllokuar rrugët.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi në mëngjes se janë larguar të gjitha bllokadat.

Sipas MPB-së, gjatë natës janë kontrolluar gjithsej 1.297 persona, ndërsa 79 janë shoqëruar në stacione policore. Prej tyre, 72 për kundërvajtje dhe shtatë të tjerë për dyshim të shkeljes së Kodit Penal.

“Janë hequr të gjitha bllokadat në territorin e Serbisë dhe Beogradit dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme”, thuhet në njoftim.

Policia konfirmoi se në disa vende ka pasur incidente të izoluara, përfshirë në Beograd, Nish, Novi Pazar dhe Novi Sad. Në këto lokacione janë arrestuar disa persona për prishje të rendit dhe kryerje të veprave penale.

MPB-ja njoftoi se gjatë bllokadave janë lënduar katër policë dhe është dëmtuar një veturë zyrtare e policisë.

Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga veprimet e paligjshme dhe të mos bllokojnë rrugët, në mënyrë që të mos rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.

Një njësi e xhandarmërisë ndërhyri para Fakultetit Juridik në Beograd, ku studentët protestues pretenduan se policia tentoi të hynte brenda objektit, duke shkelur kështu autonominë universitare.

Gazetari i së përjavshmes Radar, Vuk Cvijiq, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje, tha për televizionin N1 se studentët kishin bllokuar rrugën dhe se policia intervenoi me automjete dhe dhunë.

“Ata u tërhoqën brenda fakultetit, por policët arritën deri në derë, ndërkohë që komandantët u thërrisnin për të mos hyrë”, tha ai, duke shtuar se pati disa të arrestuar.

Policia mohoi që ka hyrë në objektin e fakultetit dhe deklaroi se ka vepruar vetëm ndaj atyre që kishin vendosur pengesa në rrugë, duke respektuar autonominë universitare.

Më herët, në bulevardin “Mbreti Aleksandër”, pati përplasje mes policisë dhe qytetarëve.

Sipas MPB-së, një polic u lëndua dhe një automjet policor u dëmtua gjatë përpjekjes për të arrestuar një person që kishte bllokuar rrugën me kontejnerë.

Intervenime ka pasur edhe para stacionit të policisë në lagjen Vraçar të Beogradit dhe rrugëve përreth, ku ishin mbledhur qytetarë dhe studentë që prisnin lirimin e të ndaluarve – përfshirë edhe të mitur – të arrestuar më herët në rrugën Njegosheva dhe para Fakultetit Juridik.

Pasi të miturit u liruan, personat e rritur u dërguan te gjykatësi kujdestar në Gjykatën për Kundërvajtje. Më pas, forcat e xhandarmërisë shpërndanë protestuesit, duke përdorur edhe shkopinj gome.

Situata të ngjashme u regjistruan edhe në pjesë të tjera të Beogradit.

Në Novi Sad, bllokadat nisën pas orës 18:00 dhe vazhduan gjatë gjithë natës. U bllokuan disa kryqëzime në Bulevardin e Çlirimit dhe rrugë të tjera kryesore. Edhe pse policia ndërhyri disa herë për të larguar protestuesit, ata u kthyen sërish pas largimit të policisë.

Organizata akademike “Studentët në bllokadë” kishte bërë thirrje për mosbindje civile pas një mitingu të mbajtur më 28 qershor në Beograd.

Studentët kërkojnë zgjedhje të reja që në maj.

Ata organizojnë protesta dhe bllokada nëpër fakultete tash e sa muaj, duke kërkuar përgjegjësi penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad më 1 nëntor. /REL