Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Tensione në protestën e opozitës në Shqipëri, hidhen shishe molotovi drejt Kryeministrisë

Tensione në protestën e opozitës në Shqipëri, hidhen shishe molotovi drejt Kryeministrisë

Protestuesit në Shqipëri kanë përdorur shishe molotovi, kapsolle dhe shashka gjatë protestës së opozitës që po mbahet para Kryeministrisë në Tiranë.

Disa nga protestuesit kanë hedhur lëndët e rrezikshme në drejtim të godinës, ndërsa policia qëndron në kordon.

Madje protestuesit kanë goditur kordonin ndarës mes policisë dhe qytetarëve, duke e rrëzuar në tokë dhe i janë afruar kordonit, shkruan tch.

Disa prej tyre kanë hedhur edhe sende në drejtim të godinës, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.

Një pjesë e mbështetësve të “Rithemelimit” u mblodhën në selinë e këtij grupimi, duke marshuar më tej drejt Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit”, ku ishin mbledhur pjesa tjetër e protestuesve.

Në krye të protestës janë Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD dhe Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i “Rithemelimit”, ndërsa nuk është i pranishëm ish- Kryeministri Sali Berisha, që është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ndodhet nën hetim nga SPAK për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Nënkryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Luçiano Boçi hapi tubimin para Kryeministrisë duke u shprehur se “këto godina janë vende ku grabiten pasuritë tuaja, ku bëhen pazare të pista të qeverisë”.

“Në këto godina është vrarë e ardhmja dhe është burgosur shpresa e shqiptarëve dhe po t’i shihni janë të lyera me krim dhe korrupsion. Duke i hapur ato dyer i korruptuari kryeministër do të gjendet pas hekurave. Vetëm kështu e marrin në dorë njerëzit fatin e tyre në Shqipëri. Ndaj duhet të vazhdojmë betejën tonë të vështirë. U them atyre që mundohen të mbyllin këto porta, që duan të burgosin Sali Berishën, që ne nuk dorëzohemi dhe do vazhdojmë luftën tonë sepse jemi të frymëzuar nga njerëzit”- tha Boçi mes të tjerash, shkruan ATSh.

Boçi shtoi se “sot vijmë të bashkuar kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Vijmë të bashkuar sepse diktaturat nuk mund të lulëzojnë nëse ne nuk jemi të bashkuar në një revoltë dhe qëndresë të tillë. Ne vijmë të bashkuar për të marrë nga historia jonë vendosmërinë dhe guximin. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe mposhtet vetëm me guximin tonë dhe ne do e bëjmë një gjë të tillë”.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Flamur Noka u shpreh se kryeministri Rama “nuk ja doli të shkatërronte pengesën për pushtetin e tij të përjetshëm, Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare”.

“Vëllezër edhe pse na e burgosi liderin tonë në një proces mirëfilli politik, fund e krye pa prova, fakte e asnjë të dhënë, ne jemi sot për t’i thënë Edi Ramës se opozita është këtu, në këmbë, e fortë, e papërkulur, e bashkuar dhe gjithë energji për ta rrëzuar. Sot në këtë shesh ne jemi për t’i thënë se pushteti nuk është i askujt, por pushteti është i njerëzve, ndaj asnjë institucion që ti mundohesh të kontrollosh nuk do të dalë dot kurrë mbi pushtetin e njerëzve”, deklaroi Noka.

Ai e cilësoi këtë protestë si “pranvera shqiptare”.

“Ne jemi sot këtu më të bashkuar se kurrë, siç e keni kërkuar ju prej kohësh, siç e ka kërkuar çdo demokrat dhe shqiptar i lirë dhe i ndershëm. Siç e ka kërkuar gjithë vendi ynë, me këtë bashkim madhështor, me këtë marshim po kaq madhështor dhe historik ne mendojmë se i kemi bërë një shërbim këtij vendi. Motra dhe vëllezër, ne nuk ndalemi deri sa t’i sigurojmë vendit tonë, votën e lirë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Votën e lirë dhe zgjedhjet e ndershme ne do t’i fitojmë. Asgjë nuk na ndal në këtë rrugë”, u shpreh Noka.

Aktori Mehdi Malkaj, i pranishëm në protestë tha se “ne “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” kemi nisur 24 kallëzime dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje, qoftë edhe negative”.

Deputetja Albana Vokshi tha para protestuesve se “duhet të ishim më parë këtu në këtë shesh. Kemi kaluar dy vite të vështira, përpara një sulmi frontal për të shkatërruar opozitën. Përdorën të gjitha format, para, presione, kërcënime, pengje, lobime brenda dhe jashtë, por nuk ia dolën. Ja ku jemi këtu. Jemi më të fortë”.

“Një thirrje kam për shqiptarët, ngrihuni, protestoni jo për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë tonë të përbashkët. Shqipëria jonë është në rrezik. Shqipëria po shitet si plaçkë lufte për interesa të një njeriu që është Edi Rama. Edi Rama nuk është kundërshtari ynë politik, por një tradhtar”, u shpreh Vokshi.

Deputeti Gazment Bardhi tha në fjalën e tij se “ne jemi sot këtu për të thënë se nuk dorëzohemi dhe se refuzojmë një demokraci fasadë”.

“Ne duam të ndërtojmë një shtet që respekton dhe nuk shkel të drejtat e qytetarëve! Që nuk ushtron pushtetin për të blerë, përçarë dhe shpërbërë opozitën! Ne duam një qeveri që punon për të pasuruar shqiptarët dhe jo pushtetarët! Duam një qeveri të përkushtuar ndaj rinisë, jo të lidhur kokë e këmbë me krimin dhe oligarkët, që kanë zhdukur ekonominë e lirë, sipërmarrjen e ndershme, që sjell zhvillim të vërtetë”, u shpreh ai.

“Sot, ne vërtetë jemi në opozitë. Vërtetë kemi kaluar momente të vështira, ndonjëherë jo të denja për të qenë në lartësinë tuaj, të dashur demokratë dhe qytetarë! Por ne sot kemi me vete pasurinë më të madhe që mund të ketë një forcë politike opozitare: ne kemi me vete kurajon, dinjitetin dhe dëshirën tuaj për të luftuar dhe vullnetin tuaj për të fituar”, shtoi Bardhi.

Janë mbi 1 100 trupa policore të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit e sigurisë para, gjatë dhe pas proteste. Policia e Shtetit i ka dhënë drejtuesve të “Rithemelimit” 4 orë kohë për të këtë protestë, ndërsa janë marrë në mbrojtje institucionet qendrore, siç është dhe godina e Këshillit të Ministrave, ku dhe do të realizohet kjo protestë. Po ashtu janë bllokuar dhe akset rrugore në afërsi të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kjo protestë është e para e “Rithemelimit” së bashku me Federatën e opozitës së bashkuar. Kësaj proteste nuk i është bashkuar Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën.

Themes by WordPress