Të mërkurën, Policia e Kosovës ka realizuar disa aksione kundër strukturave ilegale serbe, në disa komuna të Kosovës. Më saktësisht, në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, shkruan TV Arbëria.
Në ditën kur u realizua aksioni, ishte planifikuar edhe takimi në Bruksel, ku temë diskutimi ishte çështja e Personave të Zhdukur. Ky takim dështoi të mbahej, për shkak se Serbia refuzoi të merrte pjesë pas mbylljes së strukturave paralele serbe në Kosovë.
“Në Bruksel më arriti lajmi për sulmin e Kurtit ndaj institucioneve serbe në përmasa të mëdha. Mbyllja me dhunë e një numri të madh të komunave tona, qendrave për punë sociale, postave… Është e qartë pse Bislimi nuk është paraqitur sot në Bruksel”, ka shkruar Petkoviq, përfaqësuesi i Serbisë.
Ndërsa Lajçak për këtë deklaroi se Kosova prezantoi prioritetet e saj, ndërsa Serbia njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takimin trepalësh, për shkak të zhvillimeve të djeshme në Kosovë.
“Jam takuar veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët, për shkak të zhvillimeve në Kosovë,” ka shkruar Lajçak.
Për mbylljen e strukturave paralele serbe nga institucionet e Kosovës, ka pasur reagime edhe nga ndërkombëtarët. Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka thënë se mbyllja e strukturave paralele serbe ndikon negativisht tek qytetarët serbë në Kosovë.
“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik,” thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.
Për këtë ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, ku në reagimin e tij thuhet se veprimi i fundit nga institucionet e Kosovës bie ndesh me detyrimet e Kosovës karshi BE-së.
“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i po monitoron pasojat e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij,” thuhet në reagimin e BE-së.
Në anën tjetër, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka mbështetur deklaratën e BE-së, duke shkruar se me veprime si ato të ditës së sotme nuk arrihet asgjë pozitive për njerëzit që janë të prekur.
Reagim ka pasur edhe nga Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh. Ajo shprehet e shqetësuar për veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e strukturave paralele serbe në Kosovë.
Veprimet e Kosovës vazhdimisht janë kritikuar nga Perëndimi për moskoordinim dhe veprime të njëanshme. Kjo ka çuar në masat që Bashkimi Evropian mori në qershor të vitit 2023. Këto masa erdhën pasi u zgjodhën kryetarët shqiptarë në komunat veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke bërë që banorët serbë atje të krijojnë tensione. Pas kësaj, BE-ja vlerësoi se Kosova nuk mori hapa konkretë për stabilizimin e situatës pas tensioneve në veri. /TV Arbëria