Në kuadër të telasheve të shumta që po e shoqëron procesin gjyqësor ndaj ish-drejtueseve të lartë të UÇK-së, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi etj, të cilët po gjykohen para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, e që po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kanë dalur edhe ato me avokatët mbrojtës. Në disa raste, për shkaqe e natyrore, herë tjera për ato financiare, politike dhe institucionale.
Kështu, para pak kohe opinioni u njoftua lidhur me vdekjen e njërit prej avokatëve të njohur të Kadri Veselit, Andrew Strong. I ndjeri kishte qenë për një kohë të gjatë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Mirëpo, goditja më e madhe në këtë proces erdhi kur avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kërkuan që të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në rastin e tij në Gjykatën Speciale. Arsyeja e kësaj tërheqje, sipas tyre ishte se “Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Ndaj këtij lajmi pat reaguar Ministria e Drejtësisë. Sipas njoftimit zyrtar të këtij dikasteri qeveritar, MD-ja ka vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi për pagesën apo kompensimit e ekipeve mbrojtëse të te akuzuarve në Hagë. Kështu, Ministria e Drejtësisë pohonte se “ka marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa, për avokatët e tjerë potencialë, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga zoti Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrëveshje dhe nuk mbanë përgjegjësi për realizmin e pagesave”.
Ndërkohë, një lëvizje tjetër në këtë drejtim ka ndodhur hiç më larg se dje. Sipas informacioneve fillestare, Rexhep Selimi, i njohur në luftë si 10, ka mbetur pa avokatin e tij, David Young.
Lidhur me këtë largim ka reaguar edhe bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi në një postim, në rrjetin e saj social facebook. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje e ka mohuar faktin se largimi David Young është bërë për shkaqe financiare, sikur se në rastin e ish-Presidentit Thaçi, por për “arsyeje shëndetësore, të avokatit David Young. Ekipi i Rexhep Selimit vazhdon punën si gjithmonë, të përkushtuar ndaj të drejtës dhe fitores”, ka shkruar Selimi.
Mirëpo, largimin e të njëjtit kohë më parë e kishte kërkuar vetë Rexep Selimi. Sipas njoftimit të datës, 25 prill 2023, Zyra e Mbrojtjes e kishte pranuar një letër nga z. Selimi “ku kërkohej që z. Young të tërhiqet nga avokati i tij i caktuar dhe që z.Geoffrey Roberts, aktualisht bashkë-avokat në ekipin e tij të mbrojtjes të caktohet si zëvendësues. Por një gjë e tillë ishte heshtur në ndërkohë.
Sipas njohëseve dhe ekspertëve juridikë emërime dhe shkarkime të tilla të shpeshta të avokatëve mbrojtës, pavarësisht arsyeve dhe motiveve që ndodhin, kanë pasoja negative në procesin që po zhvillohet në Hagë ndaj ish përfaqësuesve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Avokati, Ardian Bajraktari në emisionin “Raport” në Kanal10, këtë e ka cilësuar si një lajm të keq nga Dhomat e Specializuara. Faza në të cilën aktualisht ndodhet procesi natyrisht që tërheqja për çfarë do arsye e avokatëve do të ndikoj në zgjatjen e procesit” ka deklaruar ai.
Kohë më parë në një intervistë për TV Arbëria Gjenerali dhe ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, kishte hedhur kritika të ashpra ndaj institucioneve të Kosovës për mënyrën se i po i trajtonin ata që gjendeshin në Hagë. Sipas tij, shteti i Kosovës, duhet të tregojë kujdes maksimal ndaj këtij zhvillimi. Është detyrë madhore e institucioneve të Kosovës që të angazhohen që të rrëzohet kjo aktakuzë. Ndërkohë për mënyrën se si duhet të veprohet në këtë rast ai kishte marrë si marrë si shembull, shtetin e Kroacisë.
“Tre gjeneralët kryesorë të ushtrisë kroate për shkak të rolit të tyre në operacionin “Stuhia”, qenë akuzuar me një aktakuzë identike. Mirëpo, atëbotë shteti kroat u mobilizua i tëri, duke përfshirë diplomacinë, sportin, kulturën madje edhe kishën, me qëllim që ta rrëzojë një aktakuzë të tillë. Ndërkohë, përpos familjarëve të atyre që ndodhen në Hagë, institucionet shtetërore të Kosovës po i veçon një heshtje dhe indiferencë e çuditshme, e cila mund të jetë shumë e dëmshme për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”, kishte deklaruar ndër të tjera, Agim Çeku.
/TV Arbëria