Kjo që po ndodh në Kuvendin e Kosovës nuk është thjesht një proces parlamentar, por një provë gjenerale për një dramë politike që, pavarësisht zhurmës, nuk do të ndryshojë epilogun. Albin Kurti, me 61 vota të siguruara në xhep dhe me orën në dorë, nuk po kërkon mbijetesë politike por ai po menaxhon kohën dhe tensionin dramatik për të hyrë në skenë si “lideri që sfidohet”, ndonëse askush nuk po e sfidon realisht.
Në këtë teatër pushteti, Kurti nuk po teston shumicën e tij, por po e shijon atë me luksin e plotë që t’i japë edhe opozitës një rol në skenë. Një rol i vogël, pa tekst, por me shumë zhurmë. Dhe opozita e pranon me kënaqësi.
Sot, opozita është kthyer në trupën e heshtur të një filmi ku askush nuk ua njeh emrin. Deputetët hyjnë në sallë, thërrasin “kundër!” me ton dramatik, dalin për konferenca shtypi që nuk sjellin asgjë të re, dhe pastaj ulen të presin skenarin e radhës të cilin, ironi e fatit, ua shkruan vetë Kurti. Të flasësh për strategji në këtë kontekst është si të kërkosh busullë në një barkë që ka kohë që ka braktisur timonin dhe shpreson se valët do ta shpëtojnë.
Votat? Ato i kishte më 15, më 17, dhe do të jenë edhe më 19 prill. Dje me një logjikë të thjeshtë nga 100 deputet 48 +3 = 51 një shumicë e thjeshtë , skena mbaroi. Por !..
Çështja nuk është më te numrat, por te simbolika. Kurti është mjeshtër i saj. Ai nuk po kërkon thjesht miratim qeveritar por ai po kontrollon narrativën dhe spektaklin që e shoqëron atë. Ai po i jep opozitës iluzionin se po ndodh diçka madhore, dhe ajo, e përhumbur në zërin e vet, po e beson.
Për çdo dalje dramatike të deputetëve opozitarë, për çdo fjalim të “zjarrtë” që ngjan më shumë me recitim të sforcuar sesa me analizë politike, Kurti buzëqesh në heshtje. Sepse skena po ecën sipas planit. Opozita nuk është më as sfidë, as alternativë. Ajo është bërë njëkohësisht pjesë e skenës dhe audiencë e vetvetes një audiencë e ngazëllyer që duartroket lojën, pa e kuptuar se është kthyer në reklamën më të mirë të Kryeministrit.
Por spektakli nuk do të ishte i plotë pa një kastë të veçantë: disa gazetarë entuziastë, shpesh pa përvojë në raportimin parlamentar, por me talent të spikatur për hiperbolën dramatike. Me mikrofon në dorë dhe me fjalor analitik të varfër, ata raportojnë nga Kuvendi si nga një reality show: Big Brother, “krizë!”, “ngërç!”, “tronditje!”, “drama në seancë!”. E në fakt, po është teatër. Por jo ai që ata mendojnë. Sepse skenarin, regjinë dhe rolet, i ka përcaktuar që në fillim një njeri e ky është Albin Kurti i cili po tallet me opozitën sepse këtë po i mundsojnë duke qendruar si statistë në Parlamentin e Kosovës.