Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Teatralizimi politik i presidentes sot në Kuvend

Teatralizimi politik i presidentes sot në Kuvend

Shkruan: Afrim Kasolli – Fjalimi vjetor i Presidentes Vjosa Osmani ishte një adresim se si një drejtuese shteti nuk do duhej ta mbante. Madje, ajo as nuk do të shkonte para deputetëve për shkak të dështimit të shumëfishtë politik dhe diplomatik si kryetare e shtetit, ose do t’i numëronte gabimet e saj, për të qenë e sinqertë me popullin dhe shtetin që e përfaqëson.

Vjosa Osmani e filloi fjalimin ceremonial duke e dënuar sulmin e grupeve paramilitare dhe terroriste serbe në fshatin Banjë 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici hero, Afrim Bunjaku. Mirëpo, ajo askund nuk e nënvizoi edhe dështimin e saj pas këtij rasti. Ishte vetë e para e shtetit që në vazhdimësi pohonte se Kosova nuk do të kthehet në procesin e dialogut pa ndëshkimin dhe sanksionimin ndërkombëtar të Serbisë.

Por, përfaqësuesit e shtetit jo vetëm që u kthyen kokë ulur në këtë proces, por për më tepër Kosova e pranoi njërin nga draft-statutet më të dëmshme të mundshme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pikërisht pas këtij agresioni. Asnjë fjalë për këtë dështim.

Ndërkohë, vetëm pas këtij kolapsi u kujtua se duhet ndërtuar uniteti më partitë opozitare politike, për rrezikun që e parqet ky entitet. Pra një përpjekje për t’u fshehur në raport me tradhtinë e bëre para publikut. Ndërkaq, duke mos qenë në gjendje për ta prezantuar asnjë rezultat pozitiv sa i përket sigurimit të njohjeve të reja, apo anëtarësimit në ndonjë organizatë serioze ndërkombëtare, e konsideroi si sukses diplomatik të këtij pushteti rikonfimimimin e njohjeve nga shtetet që tashmë na kanë njohur. Pra vend stagnimi si sukses.

Kurse, duke folur për aksionin e Njësisë Speciale në përballimin e agresionit të strukturave paramilitare në veri, u kujdes që të jetë e ekuilibruar ndërmjet nevojës së saj për retorikë heroike, por pasur guxim për ta kritikuar fushatën linçuese që pushteti e ndërmori ndaj tyre kur kërkuan mjete shtesë për shkak të rrezikshmërisë së jetës.

E kulmi i këtij shpërfytyrimi ishte tek pjesa mbi drejtësinë. Me vendimet e saj e kishte shpërfillur punën e institucioneve të pavarura kushtetuese në këtë sferë. Madje, shpëtoi pa u dërguar në Gjykatë Kushtetuese vetëm falë sabotimit të heshtur që LDK i bëri kësaj nisme, për (mos) veprimin e saj në bllokimin e emërimit e Kryprokurorit të shtetit.

Ndërkohë, duke folur për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, asnjë fjalë për shqetësimet që janë ngritur për shkeljen e tyre ndaj atyre që po mbahen të burgosur në Gjykatën Speciale. Kurse për shkak të traumave politike dhe historike nuk kishte si të mos shfaqej vetëdija e shtrembëruare mbi procesin e shtet-ndërtimit. Ajo pohoi “se ky proces është rezultat i politikës paqësore të ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe luftës çlirimtare të drejtuar nga UCK në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.

Askush nuk e mohon faktin se rënia e familjes Jashari në altarin e lirisë ka qenë forca kryesore që ka ndikuar në mobilizimin politik të shqiptarëve për t’iu bashkuar rezistencës së armatosur. Mirëpo, askush po ashtu, nuk mund ta mohoj edhe faktin tjetër se njëri nga drejtuesit kryesor politik të kësaj lufte ishte Hashim Thaçi. Prandaj, edhe kur u nënshkrua Marrëveshja e Rambujes, edhe përkundër pranimit nga përfaqësuesit tjerë politikë të këtij dokumenti, ajo nuk kishte vlerë edhe pa nënshkrimin e  drejtuesit politik të luftës. Sepse ai ne atë kohë e përfaqësonte forcën aktive politike në terren.

Por, mbase me kalimin e kohës, e çliruar nga ngarkesat ideologjike të luftës ditore politike, kur do të jetë ish-presidentja Osmani e gjendur pranë vatrës familjare në lagjen luksoze, Marigona Hill, do të tmerrohet nga vetja kur të lexon në librat e historisë se si verbëria politike e kishte penguar atë kohë ta kuptonte saktë dhe si ishte zhvilluar në të vërtetë historia moderne e Kosovës. Apo edhe mund te jetë e kënaqur kur e sheh si pikërisht në saje të kësaj gjuhe demagogjike dhe shtrembërimit të qëllimshëm të fakteve ia kishte dalur ta hipnotizoi  politikisht një pjesë të madhe të shoqërisë.

Dhe kështu t’i gëzonte pozitat më të larta shtetërore, nga të cilat e ndërtoi një jetë përrallore në lagjet elitare e ku do të jetë e shkëputur nga ata që i kishte manipuluar se po i përfaqësonte.

/TV Arbëria

 

 

 

Themes by WordPress