Në përpjekje për të ndriçuar fatin e të zhdukurve, lokacionet e gërmimeve mbeten pikë kyçe në procesin e kërkimit dhe identifikimit të mbetjeve mortore.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur po vijon me gërmimet në disa zona të identifikuara, ndërkohë që përgatiten edhe punime të reja bazuar në të dhëna të përditësuara, si brenda territorit të Kosovës ashtu edhe në pritje të hapave konkretë nga pala serbe.
“Vazhdimisht ndjekim planin vjetor të aktiviteteve dhe i përshtatemi edhe informatave të reja që dalin gjatë vitit. Kemi realizuar 11 aktivitete fushore, janë në proces së paku edhe 10 të tjera, të cilat do të zhvillohen në javët dhe muajt në vijim”, ka deklaruar Hoti.
Ai bëri të ditur se në 7 raste janë gjetur mbetje mortore, të cilat aktualisht janë në proces identifikimi përmes ADN-së.
“Në kuadër të procesit të përditësimit të mostrave të gjakut nga familjarët, kemi pranuar rezultate pozitive për rastin “Dubrava”, që aktualisht janë në proces të përmbylljes me familjet. Sa i përket gërmimeve, deri tani gjatë këtij viti janë gjetur mbetje mortore në 7 raste të ndryshme. Ato aktualisht janë në fazën e identifikimit përmes analizave të ADN-së”, thotë Hoti për Front Online.
Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, Hoti thotë se janë zhvilluar takime me zyrtarë të BE-së dhe delegacionin serb, por Serbia ende nuk ka nisur punimet në terren.
Tutje, Hoti shprehet se pala serbe në këtë proces bënë lojëra politike duke e shtyrë qëllimshëm zbulimin e të pagjeturve.
“Nuk është hera e parë që pala serbe instrumentalizon këtë proces me lojëra politike, duke e vonuar dhe shtyrë në mënyrë të qëllimshme zbulimin e së vërtetës. Komisioni i Përbashkët ende nuk është mbledhur. Takimi i planifikuar për në janar u refuzua nga pala serbe, dhe deri më tani nuk është realizuar takimi i radhës”, tha Hoti