Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Të vërtetat “brutale” të Christopher Hill-it

Të vërtetat “brutale” të Christopher Hill-it

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Një nga detyrat dhe qëllimet e se së vërtetës është ç’magjepsja e njerëzve nga mitet dhe iluzionet. Nuk thuhet me kot se “vërteta në bënë lirë”. Ndonëse, procesi i zbulimit dhe deshifrimit të saj mund të jetë i dhimbshëm, “brutal” tronditës dhe traumatik. Prandaj, kur ajo thuhet shkakton shpeshherë reagime sensacionale si sociale ashtu edhe politike.

Një funksion të tillë duket se për shoqërinë tonë me disa deklarata po  e luan Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill. Ai disa herë është shndërruar në burim të reagimeve masive në opinionin publik vendor. Diplomati i lartë amerikan në vendin fqinj para pak kohe u bë në tabel qitjeje në Kosovë, pas një deklarate se “Serbia është më afër NATO-së se Kosova”.

Me një reagim gati histerik presidentja Vjosa Osmani i replikoi ashpër Hillit për atë deklaratë, pavërisht faktit se në terma teknik e vërteta qëndron ashtu siç kishte pohuar zyrtari amerikan. E para e shtetit, pat deklaruar se “Ekziston vetëm një shtet më larg NATO-s se sa Serbia dhe ajo është Rusia. Një shtet si Serbia i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, lëre që është larg NATO-s por as që mendojë një ditë që të jetë pjesë e NATO-s. Kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.

Ky reagim agresiv i presidentes Osmani mbase kishte të bënte edhe faktin,  se ai pohim e kishte çmontuar iluzionin saj dhe të pushtetit në përgjithësi, se mjafton solidarizimi i pakusht me luftën mbrojtëse të Ukrainës dhe dënimi i Putinit për ta shndërruar atë edhe në sukses diplomatik për shtetin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Pra sipas dyshesh Osmani-Kurti, mjafton që këta janë me Volodymyr Zelensky-in, kurse presidenti serb Aleksandar Vuçiq me atë rus dhe çdo gjë do të jetë në rregull. Mirëpo, asgjë nuk e ka demantuar këtë politikë naive më shumë se vizita e Zonjës së Parë të Ukrainës, Olena Zelenska, dhe ministrit të Jashtëm të këtij shteti, Dmytro Kuleba, në kryeqytetin serb.

Ndërkohë, i njëjti diplomat u dallua përsëri dje më një të vërtetë tjetër “brutale”. Ai në një intervistë për një media lokale në Serbi, ka pohuar se “se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të”. Me këtë rast Christopher Hill nuk ka deklaruar se ky është qëndrimi zyrtar i Uashingtonit, por i BE-së, ku edhe po zhvillohet procesi i dialogut ndërmjet dy vendeve.

Natyrisht, edhe ky reagim nuk u mirëprit nga pushteti. Mirëpo, kjo nuk e zhbën faktin se një qëllim i tillë ndodhet i brendashkruar në Marrëveshjen bazike të Brukselit dhe planin e zbatimit të Ohrit të dakorduar vitin e kaluar nga kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq.

Askund në këto dokumente nuk flitet për njohje të ndërsjellë, por vetëm për normalizim të raporteve ndërmjet dy vendeve. Kurse termi njohja de facto e Kosovës nga Serbia u shpik vetëm si eufemizëm diplomatik për ta mjegulluar opinionin për mungesën e njohjes së njëmendtë.

Prandaj, nuk ka faj as në këtë rast ambasadori amerikan në Beograd se pse pushteti në Kosovë është pajtuar për atë lloj marrëveshje që i hap rrugë Serbisë për t’u integruar në kuadër të  Bashkimit Evropian pa e detyruar ta njoh Kosovën.

Themes by WordPress