Me dhjetëra të rinj e të reja për të dytën ditë me radhë u mblodhën në festivalin e 12-të të Teknologjisë “KosICT”, organizuar nga Shoqata e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë (STIKK), me temën qendrore “Zbuloni kufijtë e rinj”.
Të rinjtë jo vetëm që ishin koncentruar në punën e tyre, por me shumë entuziazëm treguan për Telegrafin se çka kanë sjellë sivjet në këtë festival.
Isra Berisha, vetëm nëntë vjeçare, kishte arritur të krijonte në mënyrë vizuale një kopsht.
“Kam sjellë një kindergarden”,tha ajo duke treguar më pas projektin e saj.
Ndërsa, Jonila Muniqi, 17 vjeçare, kishte përgatitur një projekt si galeria virtuale që, siç tha ajo, artistët ta kenë më lehtë ekspozimin e punimeve të tyre.
“Sot e kam përgatitur një projekt që është si galeri virtuale, dhe ia kam lënë emrin Pinakotecha. Për shkak se i shpjegon galeritë e vogla që janë brenda shtëpisë. Ideja ime është që artistët të paraqesin punën e tyre në një web site të thjeshtë, me mujt ndoshta dhe me i shit ato”.
E, Ilir Peci nga MikaSoft tregoi se kompania e tij ofron produktin për mirëmbajjen e të dhënave të kompanive tjera.
“Kjo është Nikasoft, është produkt për mirëmbajtjen e të dhënave të kompanive… I ruan të dhënat kur janë kontakti nga klienti të kompania dhe i përcjell krejt proceset e prodhimit të saj dhe gjithçka nga fillimi kur vjen klienti deri kur ta përfundon krejt punën me të”, ka thënë Peci.
Edhe Albion Bellopoja tregoi për lojën vizuale që e ka sjell kompania e tij në këtë festival.
“Lojërat janë plus 8 vjet e lart, pasi është lojë atraktive”, tha ai.
Ndërsa, Besfort Berisha, i cili është menaxher i marrëdhënieve me klientë nga kompania StarLabs, theksoi se duke u nisur nga nevojat e kompanive vendore për një produkt, i cili ua lehtëson procesin e burimeve njerëzore, kanë krijuar një të tillë.
“StarLebs e ka krijuar produktin AveHR, i cili ekskluzivisht i lehtëson të gjitha proceset, duke përfshirë ato të rekrutimit, të kalendarit të ndryshimeve vjetore, të menaxhimit të dokumenteve të punëtorëve dhe gjithçka që duhet për nevojat e brendshme të kompanisë duke përfshirë grafitin mbi statistika të kompanisë, siç janë rritja e punëtorëve, rënia e kompanisë në nivel të punëtoreve..”, ka thënë Berisha
Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e STIKK-ut, tha se është e befasuar nga audienca dhe interesimi për këtë festival.
“Dita e djeshme shkoi mrekullueshëm, kishte aq shumë audiencë sa unë u befasova, me kaq shumë të interesuar. Kjo është edicioni i 12-të dhe gjatë viteve ka fituar popullaritet me vet impaktin që e ka pas në tërë komunitetin. Shumë të rinj e të reja e gjejnë veten këtu, pasi festivali ka shumë përmbajtje dhe gjëra që ndodhin aty, e gjithsecili është i lidhur me sektorin ICT-së duhet të jetë këtu”, ka thënë Çavolli.
Ajo theksoi se qëllimi kryesor i këtij eventi është rrjetëzimi dhe komunikimi i të rinjve mes vete në mënyrë që, siç tha Çavolli “të gjejnë mundësi, oportunitet për biznes në të ardhmen”.
Ndryshe, KosICT ka qenë në krye të skenës së festivaleve të teknologjisë që nga fillimi i tij në 2011. Vit pas viti, ai mbledh ekspertë të nivelit të lartë nga komuniteti i teknologjisë vendase, rajonale dhe ndërkombëtare për të shkëmbyer njohuri dhe ide. Duke marrë pjesë në KosICT, do të keni mundësinë të mësoni nga më të mirët në industri dhe të qëndroni të përditësuar mbi përparimet më të fundit teknologjike.
Për më tepër, KosICT shërben si një vend kryesor B2B, duke ju lejuar të gjeneroni drejtime të vlefshme biznesi dhe të nxisni marrëdhënie domethënëse me palët kryesore të interesuara. Pavarësisht nëse jeni duke kërkuar për partnerë të mundshëm, duke eksploruar mundësi të reja tregu, ose thjesht duke kërkuar të ngritni markën tuaj, KosICT ofron platformën ideale për sukses.
/TV Arbëria