Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Të paktën tre të vrarë nga sulmet e reja ruse në qytetet ukrainase

Të paktën tre të vrarë nga sulmet e reja ruse në qytetet ukrainase

Zyrtarët ukrainas në Kiev dhe disa rajone tjera në Ukrainë, kanë raportuar për sulme raketore dhe me dronë, të nisura prej mesnatës deri në agim, më 4 shtator, si pasojë e të cilave janë vrarë të paktën tre njerëz.

Për sulmet e reja është raportuar vetëm një ditë pas sulmeve më vdekjeprurëse ruse në Ukrainë, prej nisjes së luftës, më 2022, pasi të paktën 51 persona janë vrarë në një qendër ushtarake të trajnimit në qendër të shtetit.

Udhëheqësit e administratave ushtarake në Kiev dhe Lviv, në lindje, dhe një zyrtar në Krivih Rih, kanë paralajmëruar se raketa lundruese janë detektuar të jenë nisur drejt qendrave të populluara.

Shpërthimet kanë mundur të dëgjohen në tri qytetet.

Në Lviv, shefi i administratës ushtarake, Maksym Kozytskiy, ka thënë se tre persona janë vrarë dhe të paktën 25 të tjerë janë plagosur.

Në Krivih Rih, në qendër të Ukrainës, politikani lokal, Oleksandr Vilkul, ka thënë se pesë persona janë plagosur, mirëpo asnjëri nuk është plagosur rëndë.

Ndërkohë, zyrtarët ukrainas po merren edhe me sulmet e një dite më parë në qytetin e Poltavës, që ka vrarë dhjetëra persona.

Guvernatori i rajonit të Poltavës, Filip Pronin, ka thënë më 3 shtator se ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende në kërkim të të mbijetuarve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do të nisin hetime për shkaqet e incidentit.

Pak pas sulmit janë bërë kritike të mëdha, meqë është raportuar se kadetët janë mbledhur në një ambient të jashtëm për një ceremoni diplomimi, dhe kështu Rusisë i është ofruar një mundësi për t’i shënjestruar ata.

Vladislav Seleznev, analist ushtarak ukrainas, dhe ish-zëdhënës i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainas, ka thënë se Kremlini është fajtor për sulmin, mirëpo duhet kuptuar qartë dhe përgjegjësinë e Kievit.

Zelensky i ka vazhduar thirrjet ndaj Perëndimit që ta furnizojnë Kievin me sisteme për mbrojtje ajrore dhe raketa me rreze të gjatë, “për të mbrojtur shtetin kundër terrorit rus”.

“Fatkeqësisht, çdo ditë vonesë nënkupton më shumë jetë të humbura”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Powered by WordPress