Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Të paktën dy të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Të paktën dy të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Sulmet ajrore ruse kanë vrarë dy persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjera në Harkiv dhe Sumi, thanë autoritetet ukrainase më 18 prill.

Kryetari i Harkivit, Igor Terekhov, tha përmes Telegramit se një person u vra dhe 26 të tjerë u plagosën në sulmet e kryera nga Rusia në këtë qytet.

“Sipas informacioneve të para, sulmet në Harkiv u kryen me raketa balistike, të mbushura me municione thërrmuese. Prandaj, zonat e goditura janë shumë të mëdha”, tha ai, duke shtuar se 15 ndërtesa banimi janë dëmtuar.

Guvernatori rajonal i Harkivit, Oleg Synegubov, tha se sulmet goditën “pjesët e banuara” të qytetit.

Në Sumi, afër kufirit me Rusinë, forcat e Moskës përdorën dronët Shahed, të prodhimit iranian. Nga sulmet u vra një person dhe u plagos një tjetër, tha administrata rajonale ushtarake përmes një postimi në Telegram.

Të dielën, një sulm rus me raketa balistike vrau të paktën 35 persona në Sumi dhe la të plagosur më shumë se 100 të tjerë.

Udhëheqësit botërorë e dënuan sulmin, që ishte më vdekjeprurësi në Ukrainë këtë vit, dhe një nga sulmet më të rënda që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Sulmet ajrore janë përshkallëzuar pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për arritjen e një armëpushimi.

Një ditë më parë, zyrtarët amerikanë dhe evropianë u takuan në Paris për të biseduar për luftën në Ukrainë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sërish kërkoi që të shtyhej përpara plani i paqes i paraqitur nga Uashingtoni./REL/